Tiranë, 19 gusht 2014 – Dorian Çollaku, drejtori i Departamentit të Emisionit në Thesarin e Shtetit dhe një prej dhjetë të arrestuarve për skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Arkën Stok, duket se ka alibi për dhjetëra udhëtimet e kryera jashtë Shqipërisë, brenda një kohe të shkurtër.

Nga hetimet e prokurorisë në sistemin TIMS, rezultoi se Çollaku, tashmë prapa hekurave si i dyshuar për shpërdorim detyre, kishte udhëtuar drejt Greqisë të paktën 30 herë për një periudhë gjashtëmujore. 

Dorian Çollaku i "justifikon" këto udhëtime si të domosdoshme dhe që nuk kanë aspak lidhje me çfarë po hetohet. Ai ka informuar përmes mbrojtjes së tij hetuesit, se drejt Greqisë udhëtonte shpesh, pasi atje po kryen një program të specializuar kualifikimi në fushën e tij. Çollaku pretendon se ka qenë në një universitet të Selanikut për arsye studimore prandaj ka udhëtuar jashtë vendit. 

Çollaku ka mohuar të jetë i përfshirë në vjedhjen e Arkës Stok në institucionin që drejtonte, por ka preferuar të mos japë shpjegime të detajuara për prokurorët.

Për momentin, grupi hetimor, i drejtuar nga prokurori Ramadan Troci, është në pritje të përgjigjeve të kërkesave drejtuar institucioneve të ndryshme, ku janë kërkuar informacione të detajuara, qoftë dhe për pasuritë e personave të dyshuar dhe atyre të lidhur ngushtësisht me to. 

Deri më tani, i vetmi që ka pranuar fajësinë për vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Arka Stok, është Ardian Bitraj, i cili thekson se i ka humbur të gjitha në kazino. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/