Francë, 19 gusht 2014 – Një bandë grabitësish të armatosur, e përbërë nga 5-8 persona (policia fraanceze ende po analizon filmimet e grabitjes), sulmoi karvanin prej 10 makinash të një princi, pjesëtar i familjes mbretërore saudite.
Grabitja ndodhi në vendin e quajtur “Porte Della Chapelle” midis hotelit luksoz “George V” në Shans Elize të Parisit dhe aeroportit të personaliteteve VIP “Le Bourget”.
Grabitësit ishin në 2 BMW të vjedhura dhe bllokuan rrugën e karvanit me një furgon. Ata morën peng makinën e parë të autokolonës, një mikrobuz tip Mercedes- Benz Viano (de-luxe) me targa gjermane, të marrë me qera nga sauditët.
Në makinën e marrë peng gjendeshin tre persona, shoferi, një badigard dhe një zyrtar saudit. Në makinë besohet se është vjedhur rreth 250 000 euro si edhe dokumente sekrete me rëndësi të veçantë. Grabitësit i lanë të lirë pa i dëmtuar tre pengjet.
Policia speciale franceze, BRB gjeti të djegur në periferi të Parisit, rreth 40 km larg vendit të grabitjes, njërën nga BMW-të si edhe Benz-Mercedes Viano-n e princit saudit. Pranë makinave u gjetën 2 kartëmonedha të prerjes 500 euro si edhe fletë dokumentash në gjuhën arabe. Dyshohet se në autokolonë gjendej nipi i mbretit të Arabisë Saudite (djali i vëllait) i quajtur Al-Waleed bin Talal bin Abdulaziz al Saud.
Komandoja e armatosur me kallashnikovë të tipit superkompakt (ASH 82 varianti AKMS), pa pasur nevojë të hapë zjarr, arriti të rrëmbejë makinën e parë të autokolonës. Përdorimi i të tillë kallashnikovëve superkompaktë ka bërë, që policia të japë deklarata kontradiktore herë për pushkë sulmi kallashnikovë, herë për pistoleta automatike (machine pistol hand gun).
Nga mënyra e veprimit të banditëve besohet se janë nga Evropa Lindore, me shumë propabilitet shqiptarë, që kanë trajnim formal ushtarak ose policor. Besohet se grabitësit kishin informacion të brendshëm për kohën dhe itinerarin e lëvizjes së karvanit të makinave të princit saudit. Policia po heton se kush ka qenë objektivi kryesor i sulmit, paratë apo dokumentet sekrete.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





