Durrës, 19 gusht 2014 – Gazetarja italiane Monika Arkadio (Monica Arcadio), e të përditshmes “Il Quotidiano Italiano”, në një artikull të saj trajton fatin e pensionistëve italianë, që përpiqen të mbijetojnë me pensione të vogla, në kushtet e krizës ekonomike. Një mënyrë mbijetese për ata është transferimi në Shqipëri, ku me një mikropension italian mund të jetosh fare mirë.
Antonio, 77 vjeç, ka kaluar një jetë duke shpenzuar paratë që i binin në dorë, pa menduar për të kursyer. Ai ka punuar si karrocier, restaurues, përfaqësues tregtar, madje pak vjet më parë hapi një dyqan çantash dhe aksesorësh në Durrës.
Dyqanin e mbajti hapur për nja dy vjet dhe më pas e mbylli dhe u kthye në Itali. Antonio, tashmë pensionist, e ka të pamundur të jetojë në Itali me një pension minimal prej 495 eurosh në muaj. Ai tregon se që në qershor është kthyer në Durrës për të jetuar përgjithnjë në Shqipëri.
Shpjegon se paguan vetëm 150 euro qira për banesën rreth 70 m2. Pjesa tjetër e pensionit i mjafton për të jetuar si pasha në Shqipëri, për më tepër, që ai ka mjaft miq shqiptarë dhe nuk ndihet i huaj e i vetmuar. Antonio shpjegon se me 100 lekë (70 cent) blihen tre kg domate të një cilësie mesatare.
Me çmime të tilla jeta përballohet fare mirë. Antonio nuk i tregon vitet, që ka mbi supe. Ai është tip aktiv dhe bën vrap çdo mëngjes, shkon në plazh e në pishinë. Atij i pëlqen sidomos qëndra tregtare “City Park” rreth 30 km larg Durrësit, në drejtim të kryeqytetit shqiptar, Tiranës. Antonio thekson se si ai janë me qindra pensionistë italianë, që po transferohen në Shqipëri për të ngrysur jetën.
Në artikull tregohet edhe rasti i një profesionisti italian, që është transferuar në Durrës dhe duke shpenzuar pak para arrin të bëjë një jetë normale. Ai e kryen thuajse tërë bisnesin e vet nëpërmjet internetit, por herë pas here shkon në Itali për të kontrolluar nga afër sesi shkojnë punët. Qeraja e studios në Durrës është vetëm 200 euro. Biznesmeni italian shprehet se me taksat dhe kontributet, që paguhen në Itali, nuk ia vlen të bësh biznes.
Siçduket në Shqipëri po përsëritet historia e Antalias, Alanias apo edhe e Izmirit në Turqi, ku pensionistët gjermanë kanë blerë ose marrin me qera apartamente për të kaluar një pjesë të madhe të vitit sidomos dimrin. Moti i butë i bregdetit mesdhetar turk dhe çmimet e volitshme kanë shërbyer si magnet për këta pensionistë gjermanë.
Nëse trendi “Antonio” vazhdon në Shqipëri, pensionistët italianë mund të shndërrohen në një burim të mirë të ardhurash e valute për vendin tonë duke kompensuar disi rënien e remitancave të emigrantëve shqiptarë.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





