DURRËS, 18 gusht 2014 – Durrësi shfaq fytyrën “aristokratike” evropiane në stinën turistike me organizimin e Festivalit të Nëntë Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës 2014.
Në datat 20, 23, 25, 26, 28 gusht 2014 pranë amfiteatrit romak në Durrës organizohet edicioni IX i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës.
Një bashkëpunim midis Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë Durrës si dhe me mbështetjen e Ambasadës Austriake dhe investitorëve italianë në Durrës, vjen ky edicion IX ku do të performojnë artistë shqiptarë dhe italianë në një atmosferë magjike siç është ajo e amfiteatrit romak.
Festivali do të hapet me koncertin e solistëve të “Milano Chamber Orchestra” në datën 20 gusht.
Në datën 23 gusht festivali do të vazhdojë me koncertin e violinistit Emir Abeshi, fitues i çmimit Kult 2014, me pianisten Merita Rexha Tërshana, fituese e çmimit Kult 2010.
Në datat 25, 26, 28 gusht do të performojnë Trio “Dyrrachium”, soprano Arlinda Morava me Ansamblin e Dhomës së Universitetit të Arteve në Tiranë.
Festivali do të mbyllet me koncertin e instrumentistëve austriakë dhe shqiptarë në bashkëpunim me Ansamblin e Dhomës “Stinët”.
Info
Festivali organizohet nga shoqata “Arti dhe kultura italo-shqiptare”, kjo shoqatë u krijua në vitin 2004 në Durrës me nismën e disa artistëve durrsakë.
Festivali i muzikës së dhomës këtë vit do të mirëpresë koncertet e instrumentistëve si: Merita Rexha Tërshana, Ermir Abeshi, “Milano Chamber Orchestra”, Daniel Auner, Aristidh Prosi, Nevila Kalaja Herczegh, Konstantin Ilievsky, etj.
Një rëndësi e veçantë i është dhënë organizimit prej anëtarëve të kësaj shoqate, festivalit ndërkombëtar të muzikës së dhomës, aktivitet që zhvillohet në qytetin e Durrësit që prej vitit 2006.
Ky Festival krijon jo vetëm njohjen artistike të kulturave të ndryshme nëpërmjet artistëve të ardhur nga Italia, Austria, Franca, Greqia, Zvicra, Kosova, Maqedonia, etj, por e plotëson këtë njohje edhe përmes shfaqjeve të përbashkëta me instrumentistë shqiptarë.
Vit pas viti ky aktivitet ka plotësuar fizionominë e tij duke u bërë tashmë një aktivitet i mirëpritur nga publiku artdashës durrsak, por gjithashtu i njohur dhe i vlerësuar edhe përtej Shqipërisë, thotë Ministria e Kulturës.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





