DURRËS, 18 gusht 2014 –  Muajt qershor e korrik 2014 shënuan ndalimin e recesionit trevjeçar në tregun e udhëtarëve me tragete nëpërmjet portit të Durrësit, gjë që rregulluan “biografinë” edhe të 6-e-7-mujorit 2014 në krahasim me të njëjtat periudha të vjetshme.

Sipas statistikave zyrtare të drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të shoqërisë shtetërore / publike  Autoriteti Portual Durrës, në muajin qershor 2014 në terminalin e trageteve kanë qarkulluar gjithsej44 251 udhëtarë nga 42 748 në qershorin 2013, me një diferencë prej 1 503 vetash (4 për qind më shumë).

Por korriku 2014 pati një bum të vërtetë: gjithsej 95 937 udhëtarë, ose 2,1 herë më shumë se në muajin paraardhës; kurse në korrikun 2013 qarkulluan gjithsej 90 098, me një diferencë prej 5 839 veta në krahasim me korrikun 2014 (6 për qind më shumë).

Nëse 5-mujori 2014 (me 185 317 udhëtarë) ishte “rrotë më rrotë” me atë të vitit 2013 (185 566 udhëtarë), 6-mujori i sivjetshëm shënoi një rritje modeste prej 1 për qind në krahasim me të vjetshmin (1 254 më shumë), 7-mujori 2014 u rrit dhe me një për qind tjetër (+2 për qind): 325 505 udhëtarë sivjet nga 318 412 vjet (7 093 më shumë).

STRUKTURA E UDHËTARËVE

Të dhëna interesante shihen me zbarkimet në Durrës, teksa në qershor 2014 hynë 25 224 udhëtarë ose 57 për qind) të numrit gjithsej prej 44 251 udhëtarësh, në korrik kemi një kapërcim domethënës: hynë 71 179 udhëtarë që zinin 74.2 për qind të numrit gjithsej prej 95 937 udhëtarë.

Po ashtu vërehet dhe në strukturën e atyre që zbarkojnë: kështu në muajin qershor hynë 14 505 shqiptarë me 57,5 për qind të numrit gjithsej 25 224 udhëtarë, në korrik hynë 32 954 shqiptarë ose 46.3 për qind të numrit gjithsej 71 179 udhëtarë.

Me sa shihet, ka vërtet rritje të shqiptarëve që vijnë në atdhe për pushime, por në strukturë në raport me të huajt, ka një rënie 11,2 për qind në korrik, gjë që flet për faktin se të huajt po parapëlqejnë Shqipërinë për turizëm.

Është shpejt të përcaktohen arsyet e kësaj rritjeje të numrit të udhëtarëve me tragete, por mund të thuhet se mund të ketë ndikuar edhe ndërgjegjësimi i kompanive të lundrimit për të përmirësuar disi kushtet në mjetet lundruese për shkak të konkurrencës së transportit ajror.

ME NJË VIT VONESË

“Dyrrah”-u po boton faksimilet e tabelave “Statistikat e sektorit të trageteve për  7-mujorin 2014 krahasuar me 7-mujorin 2013”, por në kokat e kolonave ka gabime njerëzore: për shkak të mungesës së vëmendjes nuk janë bërë zëvendësime vitesh.

Prandaj korrik 2013 dhe 7-mujori 2013 duhet lexuar korrik 2014 dhe 7-mujori 2014 dhe në kolonat ngjitur korrik 2012 dhe 7-mujori 2012, duhen lexuar korrik 2013 dhe 7-mujori 2013.

I rekomandojmë drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të shoqërisë shtetërore / publike  Autoriteti Portual Durrës të bëjë ndreqjen e këtyre gabimeve para se t’i dërgojë zyrtarisht statistikat në këshillin drejtues, Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës dhe në INSTAT.                                                                                                                                                             

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/