– Në 6-mujorin e parë të vitit 2014 Kosova eksportoi në Shqipëri 19,8 milionë euro mallra dhe importoi 55,2 milionë euro ose 2,8 herë më shumë, me një deficit tregtar negativ prej 35,4 milionë euro

– Shumë artikuj të prodhuar në Kosovë janë më të shtrenjtë se ata të importuar nga BE-ja

– Importuesit: Po vazhdoi të bëjë argatin e interesave të prodhuesve vendorë, dogana e Kosovës njëherazi dëmton konsumatorët, po aq sa edhe konkurrencën e ndershme

 

DURRËS, 18 gusht 2014 –  Deficiti tregtar i Kosovës me Shqipërinë, si periudhë 6-mujore 2014 është mbi 35 milionë euro, ndërkohë këtij ekspansioni Prishtina i është përgjigjur me një tarifë doganore prej 400 euro për çdo kamion me mallra të prodhuara në Shqipëri.

Që prej 18 gushtit 2014, të gjithë kamionët që transportojnë produkte shqiptare në drejtim të Kosovës, do të paguajnë në doganën e Kosovës një tarifë 400 euro shpenzime transporti për çdo ngarkesë.

Në këtë mënyrë këto mallra që importohen nga Shqipëria në drejtim të Kosovës goditen me taksa te rritura, çka bën të pamundur të tregtohen dhe shiten më tej në tregun e Kosovës.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, në 6-mujorin e parë të vitit 2014 Republika e Kosovës eksportoi në Shqipëri 2 miliardë e 739 milionë lekë (19 847 826 euro; kursi përllogaritës: 1 euro me 138 lekë) mallra dhe importoi 7 miliardë dhe 621 milionë lekë (55 224 637 euro) ose 2,8 herë më shumë, me një deficit tregtar negativ për Prishtinën zyrtare prej 4 miliardë e 882 milionë lekë (35 376 811 euro).

Me sa shihet, Prishtina “fiskale” synon të zbusë këtë deficit dhe të sigurojë të ardhura duke vendosur masa mbrojtëse për prodhimin vendës.

Bizneset kosovare, që importojnë nga Shqipëria, e konsiderojnë këtë gjë si “argatllëk” të qeverisë në favor të prodhuesve vendës që i nxjerrin produktet e tyre me kosto më të madhe se ato të importuar në BE.

Për importuesit kosovarë të mallrave të Shqipërisë, kjo tarifë shtesë prej 200+200 euro shpenzim fiks i transportit, është plotësisht e pashpjeguar dhe e vendosur  arbitrarisht dhe nuk ka të bëjë aspak me logjikën ekonomike.

Në shkrim citohet një deklaratë për mediet e tregtarëve kosovarë, që thonë:

“Këto tarifa doganore janë imagjinare dhe janë pjellë e kokës joprofesionale dhe logjikës ku shteti, në këtë rast Dogana e Kosovës, nuk bazohet në fakte dhe dokumente, po ende punon me shabllone, lista dhe tarifa, që kanë nisur nga paslufta dhe po vazhdojnë edhe sot e kësaj dite”.

Grosistët e mallrave nga Shqipëria shpjegojnë arsyet:

“Jo rrallë institucionet e Kosovës, në rastin  konkret Dogana e Kosovës, bëhen argatë të interesave personalë dhe klanorë të njerëzve të caktuar dhe të tubuar rreth disa bizneseve. Dhe të gjithë këtë argatllëk, këto institucione e bëjnë gjoja për të mbrojtur ekonominë e Kosovës.

Pra bëjnë sikur mbrojnë prodhuesit vendorë, por në fakt e bëjnë ndoshta për të mbledhur taksa shtesë të premtuara pa asnjë bazë ekonomike.

Prodhuesit vendorë ankohen, se institucionet nuk po bëjnë sa duhet për të mbrojtur tregun vendor nga mallrat e importit.

Por duhet treguar e vërteta se këta prodhues, së bashku me produktet e tyre, nuk janë fare luajalë dhe shpeshherë prodhojnë produkte të shtrenjta për tregun dhe konsumatorin e Kosovës.

Është e dukshme se shumë mallra dhe artikuj të prodhuar në Kosovë, janë më të shtrenjtë se mallrat e importuara nga BE-ja.

Prandaj Dogana e Kosovës, nëse vazhdon ende të bëjë argatin e këtyre interesave të prodhuesve tanë, njëherazi dëmton konsumatorët, po aq sa edhe konkurrencën e ndershme, duke shkelur parimet themelore të mënyrës së jetës sonë, të banuar në në ekonominë e tregut…

Dogana e Kosovës ka hapësirë dhe mundësi për të mbledhur taksa në shumë mallra të luksit, të cilat krijojnë vërtet taksa dhe buxhet.

Ne mendojmë se me tarifat e shpenzimeve të transportit prej 400 euro, dogana nuk i plotëson nevojat buxhetore të Kosovës dhe se këto janë shifra të papërfillshme për një buxhet vjetor të një vendi.

Ne nuk mendojmë se këto veprime i takojnë më shumë doganës, por mendimi ynë është se këto më tepër i takojnë Administratës Tatimore të Kosovës”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/