Durrës, 18 gusht 2014 – Deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, komenton për gazetën “Panorama” skandalin e vjedhjes në Bankën e Shqipërisë. Ai shprehet se ka ardhur koha që Guvernatori i Bankës, Ardian Fullani, të japë dorëheqjen dhe administratorët e pasurisë publike të marrin përgjegjësitë. “Ka ardhur momenti, madje është tejkaluar, që administratorët e pasurisë publike të tregojnë përgjegjshmëri e të marrin përgjegjësi. Të qenët njerëz politikë apo të zgjedhur nga politika e një ngjyre a një tjetre nuk mundet pambarimisht të krijojë mburojë për ta. Për më tepër, ka ardhur momenti që administratorët e pushteteve të kenë dhe akte civile të dorëheqjes”, shprehet Cara. Sipas tij “Skandali ‘Fullani’ ndoshta ishte një vetëtimë që paralajmëron, si pozitën ashtu dhe opozitën, që e para (pozita) të ndalojë turravrapin dhe arrogancën në pushtimin e territoreve të të gjitha pushteteve (këtë radhë po pret të marrë pa lufte Bankën Qendrore) dhe opozita, ne, t’i kthehemi debatit të vërtetë politik e opozitës, që fillon te hallet e njerëzve e përfundon në sallën e Kuvendit

IGLI CARA

Skandali i vjedhjes në Bankën Qendrore, që mori emrin “Fullani”, erdhi bashkë me temperaturat e nxehta të gushtit e tashmë duket që pas ditëve të tëra të protestës së heshtur të njerëzve të thjeshtë; furisë së një pjese të gazetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile në rrjetet sociale e firmosjes së peticionit nga mijëra qytetarë; pothuaj heshtjes së maxhorancës; lojës provokuese e të pisët të LSI-së, deklaratave “në dukje” në mbrojtje të Fullanit e ca pohimeve për stabilitet të vendit; duket që të enjten e shkuar në një farë forme u mbyllën nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qendrore me një deklaratë për shtyp. Këshilli dhe Guvernatori deklaruan se ata vazhdojnë punën në pritje të përfundimit të hetimeve të Prokurorisë. 

Hataja më e madhe zgjat 3 ditë, kjo e “Fullanit” zgjati si pak më shumë, sepse e përzier me “të mirat” që Fullani, me ose pa meritë ka gëzuar për vete e ndarë me të tjerë, në këtë verë pamundësie e pasigurie pune e biznesi; rriti mjaft ndjeshmërinë e njerëzve të thjeshtë, por jo vetëm të tyre. Fullani nuk u dorëhoq, Rama heshti, Meta vazhdoi pushimet, opozita jonë nuk pati një zë të qartë zyrtar dhe pas kësaj vjen lajmi, qeveria po përgatit një ligj të ri për administrimin e Bankës Qendrore e Këshillin Mbikëqyrës, “këta” që drejtojnë ikin në shtator. Do doja të cekja, theksoj “të cekja” disa çështje, të cilat në gjykimin tim lidhen me mënyrën si ne mbajmë pushtetet e keqpërdorim shtetin për interesat tanë politikë: blu, mavi a rozë nuk ka shumë rëndësi për shqiptarët.

Së pari, ka ardhur momenti, madje është tejkaluar, që administratorët e pasurisë publike të tregojnë përgjegjshmëri e të marrin përgjegjësi. Të qenët njerëz politikë apo të zgjedhur nga politika e një ngjyre a një tjetre nuk mundet pambarimisht të krijojë mburojë për ta. Për më tepër, ka ardhur momenti që administratorët e pushteteve të kenë dhe akte civile të dorëheqjes.

Së dyti, nuk është në interesin e shqiptarëve të ndryshojmë pambarimisht ligjet dhe veçanërisht ato që lidhen me funksionimin e institucioneve të pavarura, e aq më pak të krijojmë skema, siç mendoj do jetë dhe ligji që do vijë për Bankën Qendrore, ligj që tashmë ka kaluar për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, Këshillin e Lartë të Drejtësisë e kështu me radhë. Skemat e maxhorancës apo ligjet e reja lëvizin kokat drejtuese, shkojnë nga njëra ngjyrë në tjetrën, por nuk krijojnë memorie institucionale dhe për më tepër nuk bëjnë shtetin.

Së treti, të ruhen kriteret që kanë qenë ligjore të formimit profesional, të specializimit të ngushtë, të titujve dhe të karrierave profesionale në përzgjedhjen e drejtuesve apo bordeve në institucionet e pavarura. Në disa raste (sidomos këto të fundit), qokat e politikës, copat e pushtetit apo dhe raportet brenda vetë forcave politike, jo vetëm kanë shkelur kriteret e titujve dhe specializimit të ngushtë, po natyrshëm kanë sjellë administratorë e vendimmarrës publikë pa integritet profesional. Së fundi,por ndoshta më e rëndësishmja, ka ardhur momenti që të bëjmë politikë ndryshe, të bëjmë shtetin, të respektojmë Kushtetutën duke u dhënë hapësirë pushteteve të luajnë rolin e tyre. Akuzat e ndërsjella, përbaltja e ndërsjellë, mungesa e ndëshkueshmërisë kanë bërë që të jemi të gjithë në një varkë e të gjithë të gjykuar. Skandali “Fullani” ndoshta ishte një vetëtimë që paralajmëron si pozitën, ashtu edhe opozitën, që e para (pozita) të ndalojë turravrapin dhe arrogancën në pushtimin e territoreve të të gjitha pushteteve (këtë radhë po pret të marrë pa luftë Bankën Qendrore) dhe opozita, ne, t’i kthehemi debatit të vërtetë politik e opozitës, që fillon te hallet e njerëzve e përfundon në sallën e Kuvendit.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/