DURRËS, 18 gusht 2014 –  Këshilli i Ministrave i ka hapur dritën jeshile një fondi prej mbi 1 milion e 234 mijë euro për të rregulluar imazhin e Durrësit në dy nga veprat më të rëndësishme të artit në Shqipëri në infrastrukturën rrugore, sikurse janë  interchange-t e Urës së Dajlanit dhe Plepave (shih poshtë fotot satelitore).

Bashkia e Durrësit bën të ditur se më 10 shtator 2014 do të organizojë një tender për projektin e rikualifikimit të nënkalimeve dhe rotondës tek Ura e Dajlanit dhe në Plepa.

Qeveria shqiptare ka akorduar nga buxheti i shtetit një fond prej 170 212 400 lekë (1 milion e 234 mijë euro).

“OAZE”

Qeveria vendore e qytetit nr. 2 të vendit thotë se rikualifikimi i hapësirave të nënkalimeve në rotondën në hyrje të Durrësit dhe në atë në Plepa është një projekt (shih faksimilet e projektit në ilustrimin kryesor dhe pas fotove satelitore) që synon përmirësimin e cilësisë së shërbimit të qytetarëve, lëvizjes së orientuar të këmbësorëve, rritjes së sigurisë së tyre si edhe shtimit te hapësirave publike në nivel bashkëkohor.

Këto hapësira janë projektuar si parqe me zona ndenjeje e me lojëra për fëmijë, në funksion të një popullsie të lartë në hyrje të Durrësit e në Shkozet.

Parku është konceptuar si një element grafik që karakterizon hyrje të qytetit, të dukshme e të lexueshme edhe në pamjet ajrore, një lloj “oaz-i” ku më parë hapësirat ishin në hije e thjesht shërbenin si dytësore për kalimet në rotonda.

JA ÇFARË PRITET

Disa nga pritshmëritë pas zbatimit të projektit kanë të bëjnë me promovimin e lëvizjes së qëndrueshme; integrimin e përdorimit të transporteve të ndryshme; zëvendësimin e infrastrukturës ekzistuese elektrike duke përdorur teknologji me konsum të ulët energjie (ulje rreth 60 për qind të konsumit të energjisë nga llambat e përdorura gjerësisht sot në zona të tjera të qytetit); ndërtimin e infrastrukturës së gjelbër; krijimin e mikroklimave në nënkalime me kombinimin e zonave të hijezuara me ato të diellzuara; reduktimin e mbeturinave në zonë si pasojë e keqpërdorimit të hapësirës, mungesës së organizimit dhe kaosit në lëvizje midis këmbësorëve e mjeteve.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/