Sarandë, 18 gusht 2014 – Pas videoskandalit që u transmetua në televizonin “News 24”, duket se zyrtarët do mendohen mirë para se të kërkojnë favore seksuale.
Këtë e thotë E. G., gruaja e ve që denoncoi Agron Canen, sekretarin e deputetit të Partisë Socialiste Koço Kokëdhima, i cili i ofroi punë në këmbim të orgjisë me të dhe vajzës 14-vjeçare.
Gruaja rrëfen se fëmijët e saj po ndihen të privuar nga e drejta për të lozur përjashta, pasi nga frika që ka se mos persona të caktuar u bëjnë keq ajo i mban brenda.
E.G. shprehet se “ndihet mirë për faktin që grisa maskën e dikujt, që kërkonte të përfitonte dhe të kryente veprime skandaloze”.
Ajo thotë se ka bërë veprimin e duhur dhe se hetimi duhet të shtrihet edhe në rastet e tjera të mundshme.
“Më merr në telefon ky zotëria, Agron Cane dhe më pyet për vajzën. I them që vajza është e sëmurë. Vazhdon në atë gjendje dhe ka marrë ilaçet. Më thotë në rregull, do të shërohet vajza dhe unë pres. Domethënë ky priste që vajza ime të shoqërohej dhe të shkonte tek ai person. Ai ecte me dëshirën që unë t’i çoja vajzën, gjënë më të shtrenjtë, me duart e mia. Prisja se si do të reagonte më vonë. Më merr prap në telefon pas ca ditësh dhe më pyet si është vajza. I them është mirë. Në rregull, më thotë, ma sill në zyrë. Ejani të dyja në zyrë. Nëse kërkon vajzën time në zyrë, ai ishte i përgatitur për të bërë aktin seksual me vajzën time dhe me mua bashkë. Shikoja shumë nëna, shikoja të njëjtat fytyra përditë, që i mashtronte besoj. Nuk e di sa e vërtetë është. Duke ikur rrugës mendova, ky siç më poshtëron mua, ky poshtëron shumë nëna, shumë femra, shumë vajza. Atje shkonin vajza të reja me diploma që kërkonin punë. Ky kur m’u shpreh mua kështu, çfarë mund të ketë bërë me shumë nëna të tjera?!”,thotë E. G.





