Tiranë, 18 gusht 2014 – 5 muaj burg për një 24 vjeçare që dhunoi fizikisht një police në detyrë.
Ngjarja ka ndodhur në fillim të marsit të këtij viti, gjatë një kontrolli policor për sende të paligjshme në një lokal nate pranë Fakultetit Ekonomik, në kryeqytet.
Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtore pak ditë më parë 24 vjeçaren Fatbardha Gj., e cila ka goditur me këmbë në ballë punonjësen e policisë Iva H.
Gjatë një kontrolli policor në një lokal nate, ndërsa të gjithë shtetasit që ndodheshin aty prezent janë treguar të gatshëm t’i bindeshin urdhrit të policisë, 24 vjeçarja ka kundërshtuar.
Kur asaj i është afruar policja Iva H. për ta kontrolluar, e reja ka nisur t’i drejtohet policëve me fjalë fyese.
Në këto rrethana, duke qenë se po pengonte në kryerjen e detyrës, efektivja Iva H. ka kapur prej krahu shtetasen Fatbardha H. dhe me ndihmën e kolegëve të tjerë e ka futur në furgon për ta shoqëruar në komisariat.
“Brenda në furgon, në prezencë të disa punonjësve të policisë, Fatbardha Gj. ka goditur me këmbë në ballë punonjësen e policisë Iva H. Pas kësaj Fatbardha ka tentuar të godasë përsëri Ivën, por kjo e fundit është shmangur. Ndërkohë kanë ndërhyrë kolegët e tjerë të Ivës dhe nuk e kanë lejuar Fatbardhën të godasë përsëri”,thuhej në vendimin e gjykatës.
Nga ekspertimi mjeko-ligjor ka rezultuar se goditjet e së pandehurës i kanë shkaktuar punonjëses së policisë Iva H. dy dërrmishje dhe një ekimozë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





