Tiranë, 18 gusht 2014 – Një javë përpara startit të Kategorisë Superiore skuadrat mundohen të bëjnë rregullimet e fundit, duke përgatitur me seriozitet një sezon të gjatë por mbi të gjitha shumë të luftuar. Në futbollin shqiptar jo vetëm janë rikthyer emrat e rëndësishëm, por tashmë skuadrat tregojnë se dijnë të operojnë në merkato në mënyrën e duhur. Këtë e tregon më së miri që një javë përpara startit, ekipet japin dhe marin futbollistë pavarësisht se dikur kanë qenë në organikën e kundërshtarëve. Këtu vlen të përmendet rasti i sulmuesit brazilian Magalhaes, i cili nuk bindi trajnerin e Partizanit Shpëtim Duro dhe drejtuesit e klubit të kuq nuk u bënë pengesë që braziliani t’i bashkohet Teutës.
E njëjta situatë tek 15 herë kampionët është edhe ajo e mbrojtësit Besnik Krasniqi, që menjëherë pas largimit emri i tij lakohet si një përforcim i mundshëm tek rivalët e përjetshëm të Tiranës. Ndërkohë nga bardheblutë është larguar mbrojtësi Endri Vrapi, për të cilin ofertat nuk mungojnë. Pas bujës së verës me largime të trajnerit dhe Drejtorit Sportiv, Kukësi rikthen në Kategorinë Superior një emër që dikur premtonte shumë, nigerianin Peter Olaynka, për të shtuar akoma më shumë konkurrencën në sulm.
Elbasani afron dyshen e Skënderbeut, Tahirllari dhe Agboi, ndërsa Laçi bën për vete Malazezin Cetkovic. Të gjitha këto lëvizje vijnë në momentet e fundit përpara fillimit të kampionatit, me skuadrat të cilat për të konkuruar në mënyrë të barabartë kërkojnë të mbyllin boshllëqet e krijuara. Me ritmin e ecur duket që edhe java e re do të ketë të tjera zhvillime.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





