Francë, 17 gusht 2014 – Paris Saint Germain fiton një ndeshje ku ndodhi gjithçka, që nga golat deri tek dëmtimet e dhuna në dhomat e zhveshjes. Në fund të ndeshjes ku PSG mundi 2-0 Bastian, dhomat e zhveshjes u përfshinë nga kaosi ku protagonist u bë mesfushori Thiago Motta, i cili u godit me kokë nga një futbollist kundërshtar. Telekamerat e sigurisë regjistruan episodin ku mendohet se ishte Brandao ai që sulmoi lojtarin e parizienëve, i cili më pas reagoi duke e ndjekur për t’u kundërpërgjigur. Menjëherë pas këtij episodi ka reaguar edhe Presidenti i Paris Saint Germain, Nasser Al Khelaifi, i cili kërkon pezullimin e përjetshëm të Brandaos, pasi sipas tij ky është një turp për futbollin francez. Ish-sulmuesi i Marseille pati disa momente tensioni në fushën e lojës me dy mesfushorët italianë, Thiago Motta dhe Verratti, çka mendohet se është bërë shkak për shpërthimin e tij në brendësi të stadiumit “Parc des Princes”.
Sipas rregullores të Federatës Franceze të Futbollit, dënimi maksimal për akte të tilla shkon deri në dy vjet pezullim nga çdo aktivitet sportiv. Një tjetër episod i pakëndshëm mban në ankth kampionët e Francës pasi Zlatan Ibrahimovic doli nga fusha në minutën e 15-të por momentalisht nuk ka një përgjigje të saktë për shkallën e dëmtimit. Në intervistën e dhënë për mediat vendase, tekniku Laurent Blanc shprehet se sulmuesi i tij ka një dhimbje të fortë në krah dhe në këtë rast bëhet fjalë për një plagë të çuditshme. Blanc nuk diti të japë një përgjigje nëse bëhet fjalë për një dëmtim serioz, por fakti që Ibrahimovic kërkoi të dilte nga fusha e lojës, do të thotë se gjërat mund të jenë serioze. Suedezi doli nga fusha e lojës pas 15 minutave, por mungesa e tij nuk u ndje shumë sepse golat e Lucas Mouras dhe Edinson Cavanit i dhanë fitoren e parë në kampionat Paris Saint Germain.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





