Durrës, 17 gusht 2014 – E përditshmja italiane “Il quotidiano italiano Bari”, në një shkrim të gazetarit të mirënjohur barez Antonio Loconte, trajton fenomenin e barezëve dhe puljezëve në përgjithësi, që gjithmonë e më shumë vijnë në Durrës për të bërë shopping.

Gazetari vëren se në fillim italianët shkonin në Kroaci e më pas në Mal të Zi për të blerë veshmbathje të markave të shtrenjta, prodhime false të realizuar kryesisht në Kinë dhe Turqi. Me përafrimin e legjislacionit të këtyre vendeve me legjislacionin e Bashkimit Evropian, në Kroaci dhe Mal të zi u bllokua shitja e mallrave false hapur në pazar.

Shqipëria, ndonëse ligjërisht nuk lejon importimin e veshmbathjeve dhe mallrave të tjera të falsifikuara, faktikisht është shndërruar në parajsë për të tilla mallra.

Gazetari barez vëren se me dhjetra italianë, duke shfrytëzuar çmimet e arsyeshme të biletave të trageteve në linjën Bari-Durrës si edhe një përmirësim të lehtë të komoditetit në këto tragete, vijnë në Shqipëri vetëm për shopping, për të blerë të tilla veshmbathje false.

Në shkrim jepen edhe çmimet e këtyre produkteve false si psh.T-shirt false shiten me maksimumi 10 euro, ndërsa çantat false shkojnë maksimumi në 20 euro, këmishat 18 euro dhe këpucët e markave nga më të shtrenjtat deri në 30 euro.

Gazetari ka vizituar disa dyqane në Durrës, që ofrojnë të tilla mallra false. Ai ka bërë foto në këto dyqane dhe ka vërejtur në to prodhime false të markave të tilla si: Timberland, Gucci, Fendi, Addidas, La Coste Armani, Diesel, Dolce& Gabbana etj etj.

Nuk ka nevojë për faturë, nuk ka nevojë për etiketë që tregon çmimin, thjesht jep eurot dhe merr mallin fals. Antonio Loconte ngre edhe problemin e mungesës së kontrolleve doganore si në Durrës edhe në Bari për të zbatuar ligjin kundër falsifikimit të mallrave.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/