Tiranë, 17 gusht 2014 – Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me skandalin e Sarandës. Nëpërmjet rrjetit social Twitter ai u është përgjigjur akuzave te bera nga kreu aktual i PD, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetë të partisë nga selia blu. 

Në mesazhin e tij, Rama thotë se me t’u marrë vesh si ngjarje, brenda ditës, policia ka mundur ta arrestojë personin e përfshirë në skandal, zyra e deputetit të Vlorës Koço Kokëdhima është distancuar prerazi, ndërsa PS e përjashton tërësisht.

“Për ne – thotë kryeministri – e keqja nuk ka parti dhe nuk mund të gjejë vend mes nesh. Vaj medet për PD, – shton më tej Rama, – që e shijon skandalin duke e ripërtypur në mensën e SHQUP-it, ku gatuhet gjella e një politike të vjetër e të ulët”, ka përfunduar reagimin e tij zoti Rama.

Basha: “Saranda”, medalje turpi për Ramën

Kreu i Partisë Demokratike ka reaguar sërish gjatë kësaj të diele në lidhje me skandalin e publikuar një ditë më parë, ai i kërkimit të favoreve seksuale me një të mitur në Sarandë, në këmbim të një vendi pune.

Sipas Bashës, “medalja e turpit për këtë ngjarje dhe për sistemin që ka ngritur i shkon e gjitha Edi Ramës, pasi – siç thotë ai, – skandali ka ndodhur në zyrën e Partisë Socialiste. Në zyrën e pushtetit që funksionon nën frymën e oligarkisë”.

“Medalja e turpit i shkon e gjitha Edi Ramës, i cili vazhdon të pajtohet me ngjarjen që ka tronditur e zemëruar mbarë shoqërinë, ndërsa ai nuk gjen asnjë sekondë kohë që të distancohet”, shton më tej në postimin e tij në rrjetin social Facebook, kreu i PD.

“Po si mund të distancohet ai nga një masë e madhe abuzuesish të paskrupujt, që janë në fakt alterego e tij”, përfundon komentin e tij Basha.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/