Dhërmi, 17 gusht 2014 – Pronarët e lokalit në Dhërmi e torturuan kamerierin duke i fikur cigaret e ndezura në trup. Një masakër e vërtetë ka qenë ajo mbi Denis Vyshkën, 28-vjeçarin, i cili u gjet i pajetë rreth 300 metra larg lokalit ku kishte punuar për disa muaj. Të djegura në trup, goditje dhe një shenjë litari në qafë me të cilin e kishin lidhur. Këto detaje rrëqethëse i ka bërë të ditur Prokuroria e Vlorës, e cila ka hetuar për ngjarjen e rëndë që i mori jetën Vyshkës në orët e para të 14 gushtit.
Si autorë janë akuzuar dy pronarët e lokalit “Shija e detit” në Dhërmi, ku punonte viktima, si dhe kuzhinieri i tij. Ky lokal është marrë me qira nga shtetasit Altin Ymeraj dhe Ervis Zylfaj, në vendin e quajtur “Perivolo”, ku dhe ndodhi krimi.
“Në datën 14.08.2014, rreth orës 03:00, Altin Ymeraj dhe Ervis Zylfaj kanë vënë re se në lokalin e tyre mungonte shuma prej 500 mijë lekësh dhe për këtë arsye Altin Ymeraj ka dërguar shtetasin Eris Zilkaj të thërriste gjithë stafin e lokalit. Pasi ka ardhur gjithë stafi dhe janë futur brenda në lokal, i kanë rreshtuar dhe i kanë thënë se i mungojnë 500 mijë lekë dhe ata duhet t’i gjenin kush i kishte vjedhur. Shtetasi Altin Ymeraj mbante në dorë një vegël bujqësore dhe duke i kërkuar kush i kishte vjedhur lekët, ka gjuajtur me veglën që mbante në dorë disa herë në pjesë të ndryshme të trupit shtetasin Denis Vyshka”,- bën të ditur Prokuroria e Vlorës.
Ndërkohë, burime pranë grupit hetimor deklaruan se, gjatë kohës që Denis Vyshka është torturuar, një prej personave e ka filmuar me celular, por kur ka parë që i riu ka vdekur, e ka fshirë filmimin. Ekspertë të policisë e kanë dërguar celularin në Tiranë për të rikthyer përsëri filmimin. Gjithashtu, hetuesit pohuan se në trupin e viktimës ka pasur shumë shenja torture, duke nisur që nga djegia me cigare në dorë dhe deri te një goditje në kokë dhe shenjë mbytjeje në fyt, çka i kanë sjellë dhe vdekjen.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





