Tiranë, 17 gusht 2014 – Më shumë se 10 persona janë shoqëruar në polici për të dhënë dëshminë e tyre në lidhje me vrasjen e pronarit të një gomisterije një ditë më parë nga një punonjës i SHISH.
Xhevahir Mzhika, oficer i SHISH është ende në arrati, ndërsa operacioni për kapjen e tij ka vijuar edhe gjatë natës. Largimi i autorit të krimit në këmbë nëpër rrugicat e “Fushës së Aviacionit” në Tiranë ka bërë që ai të humbë shpejt gjurmët dhe për pasojë të vështirësojë edhe kapjen e tij nga policia.
Ndërkaq mësohet se vëllai i viktimës, Florian Selmani ka shpëtuar për mrekulli nga plumbat, pasi punonjësi i SHISH ka qëlluar në drejtim të të dy vëllezërve Selmani.
Sipas policisë fillimisht Xhevahir Mzhika është goditur me mjete të forta nga dy vëllezërit Selmani dhe më pas është larguar, duke u kthyer i armatosur dhe ka qëlluar mbi 33-vjeçarin nga Saranda, që prej disa muajsh ushtronte këtë aktivitet privat në kryeqytet.
Burime të policisë zbulojnë se shkak i ngjarjes së rëndë ka qënë një aksident i lehtë që oficeri i SHISH ka pësuar pranë Kthesës së Kamzës, ndërsa ishte nisur për pushime me familjen e tij.
Gjatë udhëtimit ka plasur njëra prej gomave, që kishte riparuar një ditë më parë në servisin e vëllezërve Selmani dhe për pasojë familjarët e tij kanë marrë plagë të lehta.
Kaq ka mjaftuar që Xhevahir Mzhika të fajësojë pronarët e servisit dhe të konfliktohet me ta, duke shkuar deri në përdorimin e armës. Nuk dihet ende nëse plumbat janë qëlluar nga arma e shërbimit, apo tjetër armë që oficeri i SHISH mund ta dispononte pa leje.





