Itali, 16 gusht 2014 – Edhe durimi e ka një limit, sidomos kur ndjen se të bëjnë padrejtësisht përgjegjës të dështimeve. Pasi e pagoi me shkarkim faturën e mungesës së rezultateve, ish shefi i motorëve dhe elektronikës te Ferrari, Luca Marmorini ka thyer heshtjen duke shpjeguar publikisht se çfarë nuk shkon te njëvendëshja e kuqe këtë sezon. Marmorini ka punuar prej shumë vitesh në Maranello, u shkëput për pak kohë pasi shkoi te Toyota dhe u kthye sërish te Ferrari në 2009-ën.
“Le t’i themi gjërat ashtu si janë, pra të themi të vërtetën. Bashkë me kolegët e mi, kemi punuar për një njësi motorike më të vogël se e Mercedes apo Renault, pasi kjo ishte ajo që kërkoi shefi i projektimit të makinës, Nicolas Tombazis. Çdo gjë u realizua sipas kërkesave të tij, por kur pamë për herë të parë rivalët tanë, ishte e dukshme mungesa e performancës”.
Marmorini, njeriu që i kushtoi shumë vjet të karrierës makinës së kuqe, mendon se nuk pati as mundësinë të shpjegohej për punën e tij.
“Kur erdhi Mattiacci në vend të Domenicalit nuk m’u dha mundësia t’i shpjegoja situatën. Në tre muaj e kam takuar vetëm dy herë, njëherë kur erdhi dhe herën tjetër kur më dorëzoi letrat e shkarkimit. Nuk dua të akuzoj asnjë për atë që po ndodh te Ferrari, por mendoj se kanë shumë guxim duke i besuar role kryesore njerëzve me pak eksperiencë”.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





