SHBA, 16 gusht 2014 – Vrasësi i Felecia Williams, vogëlushes nëntë vjeçare e cila u vra më 19 maj në Tampa të Florida (SHBA), ka një emër. Granville Ritchie, 35 vjeç, i akuzuar për përdhunimin, vrasjen dhe zhdukjen e trupit të së voglës.
U deshën tre muaj hetime për të bërë bashkë pjesët e historisë, tre muaj për të kthyer dyshimet në siguri.
Detajet e krimit u zbardhën gjatë seancës së të premtes, para prindërve dhe familjarëve të viktimës. Sipas hetuesve, vogëlushja ishte marrë nga shtëpia e mikes së familjes, Eboni Wiley dhe ishte çuar në një apartament të Temple Terrace.
Pak para orës 17.00, Wiley u largua për të mbaruar disa punë, duke e lënë Felecia me Ritchie.
Në kthimin e saj, rreth një orë më vonë, 35 vjeçari ishte gjysmë i zhveshur, i turbulluar dhe i kishte thënë gruas se vajza ishte zhdukur. Por në fakt gjatë kësaj kohe vajza ishte përdhunuar, rrahur dhe mbytur. Kufoma e saj ishte mbyllur në një valixhe të zezë dhe ishte braktisur në det, pranë plazhit të Tampa.
Trupi i vogëlushes u gjet i zhveshur, në det. Në dëshminë e tij në polici Granville tha se nuk ndodhej në qytet, por telefoni i tij u gjet pranë zonës ku u gjet trupi i Felecias.
Në vijim u zbulua se valixhja i përkiste atij. Për më tepër versioni i tij dhe i Eboni, nuk përputheshin fare.
Gjithsesi ka shumë pikëpyetje ende lidhur me çështjen, përfshi edhe faktin nëse mikja e familjes Eboni, është përfshirë në vdekjen e së voglës Felecia.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





