– Të shtunën ora 09:00-16:00 dhe të dielën ora 12:00-24:00 nuk lejohen të qarkullojnë mjete me peshë mbi 7 500 kg, gjatësi maksimale 12 m, rrugore apo bujqësore me shpejtësi më të vogël se 40 km/orë
– Policia do të vëzhgojë nga toka dhe ajri trafikun dhe zbatimin e urdhrit
DURRËS, 16 gusht 2014 – As qerre as kamionë të rëndë të shtunën dhe të dielën për të mos bllokuar trafikun në drejtim të Currilave, Kavajës, Gjirit të Lalëzit, dy dikasteret që merren me disiplinimin e transportit rrugor synojnë të minimizojnë kaosin në fundjavën turistike.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës nxorën një urdhër të përbashkët që kufizon qarkullimin e mjeteve të rënda, me synim lehtësimin e lëvizjes në boshtet kombëtare dhe urbane gjatë sezonit turistik.
“Qëllimi kryesor i kësaj marrëveshjeje është disiplinimi i lëvizjes së mjeteve të transportit të rëndë, duke parandaluar vështirësimin e qarkullimit për shkak të përmasave apo edhe shpejtësisë me të cilën lëvizin këto mjete të rënda”, theksohet në njoftim.
Nuk lejohen të qarkullojnë gjatë fundjavës, të shtunën ora 09:00-16:00 dhe të dielën ora 12:00-24:00, mjetet e transportit të rëndë me peshë mbi 7 500 kg, mjetet me gjatësi maksimale 12 m, mjetet rrugore apo bujqësore që kanë shpejtësi më të vogël se 40 km/orë.
Të gjitha akset rrugore, ku do të ndalohet lëvizja e mjeteve të rënda, shërbimet e policisë do t’i vëzhgojnë nga toka dhe ajri, ndërsa për shkelësit do të ketë sanksione ligjore sipas parashikimeve të Kodit Rrugor.
Lista e boshteve rrugore të Durrësit, ku do të zbatohet udhëzimi:
– Durrës-Tiranë;
– Durrës-Gjiri i Lalzit;
– Durrës-Currila;
– Durrës-Kavajë;
– Kryqëzimi i Milotit-Durrës.
Shënim: Foto ilustruese nga Donjet Alliu
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





