SHBA, 16 gusht 2014 – Ka ndryshim planesh në karrierën e superyllit të atletikës, Usain Bolt. Nga Rio de Janeiro, kampioni i shumëfishtë olimpik deklaroi se tërheqjen e ka spostuar për në vitin 2017, për të provuar më pas fatin si futbollit. Xhamajkani dy herë fitues i medaljes së artë olimpike në 100 metra, 200 metra si dhe në stafetën 4×100 metra, ishte zotuar publikisht se karrierën në atletikë do ta mbyllte pas Lojërave të Rios, por me sa duket ky nuk do të jetë stacioni i fundit.

“Besoj se do të garoj edhe një vit më tepër sepse ma kanë kërkuar sponsorët një gjë të tillë, pra do të tërhiqem nga atletika në vitin 2017”.

Sipas këtij plani, njeriu më i shpejtë në planet do të garojë edhe në Botërorin e Atletikës pas 3 vjetësh, për t’iu përkushtuar pastaj një pasioni tjetër.

“E kam thënë në disa raste se dua të angazhohem në futbollin profesionist dhe do të shikoj nëse jam një lojtar i mirë. Të bëhem trajner në atletikë në të ardhmen? Jo, nuk dua. Duke parë se çfarë kalon trajneri im me mua, nuk e preferoj një gjë të tillë”.

Në garimin më të fundit, në lojërat e Commonwealth, Bolt fitoi medaljen e artë si pjesë e kuartetit xhamajkan në stafetën 4X100 metra, ndërsa tani po stërvitet për një tjetër garim në Rio.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/