Tiranë, 16 gusht 2014 – Një vrasje me armë zjarri është regjistruar paraditen e së shtunës tek Fusha e Aviacionit në Tiranë. Si motiv për vrasjen ka shërbyer një gomë e çarë që ka futur në grindje një klient me 2 vëllezër gomistë nga Saranda, banues në Tiranë.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur rreth orës 11:15 në një gomisteri tek Fusha e Aviacionit. Viktima, Florian Selmani është i moshës 33 vjeç dhe është qëlluar me disa plumba pistolete. Mësohet se viktima humbi jetën rrugës për në spital.
Sipas policisë, autori i krimit është një banor i Tiranës, rreth 45 vjeç, Xh.M., i cili ka ardhur dy ditë më parë për të sistemuar gomën e makinës. Ai ka kontaktuar dy vëllezër gomistë nga Saranda, banues në Tiranë të cilët i kanë ndërruar gomën dhe i kanë shitur një tjetër.
Klienti ka bërë dhe pagesën dhe mori garanci nga vëllezërit nga Saranda se goma ishte rregulluar. Por sapo ka nisur një udhëtim me familjen, goma i është çarë gjatë drejtimit të makinës dhe kjo ka bërë që ai të pësonte një aksident të lehtë me familjen.
Ky shtetas ka mbërritur sot në gomisteri dhe ka kërkuar shpjegim se përse puna nuk ishte kryer në rregull. Mësohet se ka pasur një sherr të madh mes tij dhe dy vëllezërve gomistë, ku këta të fundit e kanë rrahur me grushta e shkelma klientin.
Por sherri nuk përfundon me kaq, klienti kthehet me një armë pistoletë dhe ka qëlluar në drejtim të njërit prej vëllezërve. Mësohet se gomisti gjeti vdekjen rrugës për në spital. Të dhënat u mblodhën nga dëshmitë e shumta në vendngjarje, të cilët panë gjithë skenën e krimit.
Autori është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ndodhet në kërkim. Ai është banor i zonës së Fushës së Aviacionit në Tiranë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





