DURRËS, 15 gusht 2014 –  “Moska i kërkoi shërbimit sekret komunist çekosllovak  StB të hapte qendrën e tij (rezidenturë) në Tiranë, Shqipëri gjë që u realizua në vitin 1975”, njofton më 15 gusht 2014 agjencia çeke e lajmeve CTK.

Këtë fakt e ka bërë publik eksperti i shërbimeve sekrete komuniste, historiani çek Prokop Tomek që komentoi të rejat nga Arkivi Mitrokhin.

“Arkivi Mitrokhin” është një koleksion shënimesh me dorë të bëra fshehtas nga majori i KGB-së Vasili Mitrokhin në vitet 1972-1984, kur punonte si arkivist.

Shumica e arkivit sapo është hapur për publikun në Kembrixh të Britanisë së Madhe.

Në vitet 2002-2006, një komision i posaçëm parlamentar italian ka hetuar për implikim të mundshëm të disa politikanëve të majtë për spiunazh në favor të Kremlinit, saqë një e përjavshme ruse e titullonte shkrimin e vet: “Moska, kryeqytet i Italisë”.

Në skedat e KGB-së kanë dalë dhe emrat e ish-ministrit të Brendshëm shqiptar, Kadri Hazbiu (1922-1983) dhe kreut të Sigurimit të Shtetit, Zoi Themeli, që mbanin lidhje me Moskën, nëpërmjet shtetasve italianë të rekrutuar nga sovjetikët.

Pas viteve 1962-1963 kontaktet realizoheshin jashtë shtetit, në forume ndërkombëtare, mbledhje, simpoziume, OKB, UNESCO etj. Ndërkaq “Bondët” rusë depërtonin dhe në Shqipëri.

Info

“KOMISIONI MITROKHIN”

Në vitin 2002, parlamenti italian, që drejtohej atëherë nga koalicioni i djathtë i Silvio Berluskonit “Casa delle Libertà”, krijoi një komision të posaçëm hetimor me kryetar senatorin Paolo Gucanti (Guzzanti) i “Forza Italia”-s.

Ky komision i quajtur “Komisioni Mitrokhin”, kishte si qëllim hetimin e lidhjeve të hamendësuara të KGB-së me figura të opozitës në politikën italiane.

Hetimet u bazuan, nga njëra anë në Arkivin kontroversial të Mitrokhinit dhe, nga ana tjetër, në burimet të tjera, duke përfshirë konsulentin Mario Skaramela (Scaramella), figura e të cilit mori një njohje ndërkombëtare në vitin 2006 në kulmin e çështjes Aleksandër Litvinenko. Ky i fundit ka qenë agjent i KGB-së, i cili u helmua në Londër në vitin 2006.

DOSJA GJIGANDE

Dosja “Mitrokhin” mban emrin e majorit Vasili Mitrokhin (1922-2004), ish-arkivist i KGB-së në pension.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik (në 1992) ai shkoi në Letoni me kopje dhe materiale nga arkivi drejt e në ambasadën amerikane në Riga. Oficerët e CIA-s nuk e konsideruan të besueshëm, duke thënë se dokumentet e kopjuara mund të ishin false.

Pastaj shkoi në ambasadën britanike dhe pas një muaji me përfaqësues të Shërbimit Informativ Sekret (MI6) britanik u realizuan operacione për tërheqjen e 25.000 faqeve të dosjeve të fshehura në shtëpinë e tij, me fakte për KGB-në qysh në vitet 1930.

Oficeri i KGB-së, Vasili Mitrokhin, për 12 vjet, nga 1972 në 1984, pothuajse çdo ditë pune, duke rrezikuar jetën e tyre, nxori nga arkivat e shërbimit të fshehtë  dhe i futi në xhepat dhe këpucë – kopje që u kishte bërë dokumenteve më të klasifikuara. Sipas FBI-së, bëhet fjalë për “koleksionin më të madh të shërbimit të fshehtë në histori”.

261 SKEDA

Ky term i referohet një pjese të konsiderueshme të Arkivit të Mitrokhinit, rezident në Britaninë e Madhe.

Përbëhet nga 645 skeda, mbi të cilat u hartuan më se 3.500 raporte të fshehta spiunazhi në 36 vende.

Fillimisht dosja u quajt “Impedian” dhe është përgatitur nga MI6, shërbimi i fshehtë britanik, mbi bazën e dorëshkrimeve, që ish-arkivisti kopjoi nga dokumente sekrete të KGB-së.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/