Dhërmi, 15 gusht 2014 – Kamarieri i vrarë në dhërmi, Denis Vyshka, jetonte në një varfëri të skajshme.

Ai jetonte së bashku me dy prindërit e tij në Elbasan, dhe për të fituar ndonjë para, kishte shkuar pikërisht në Dhërmi për të punuar si kamarier.

Kjo pohohet nga djali i tezes së tij, Denisi për “Panorama”.

Kushëriri im vjen nga një familje e varfër që jeton në Elbasan. Varfëria e tejskajshme në familjen e tij e ka detyruar që ai të shkojë e të kërkojë punë në zonën bregdetare të Dhërmiut, për të fituar dhe për të ushqyer veten dhe prindërit e tij.

Denisi ishte djalë i urtë, me karakter të fortë. Edhe pse ishte në varfëri ekstreme, mundohej të jetonte duke punuar kudo që t’i dilte punë, madje duke kërkuar edhe borxh te të afërmitv e tyre, kur ngelej pa punë”, tregon ai, duke hedhur akuzat se 28-vjeçari mund të jetë vrarë për vjedhjen e 500 mijë lekëve.

Dhe sikur t’u kishte humbur vërtet ajo sasi lekësh, nuk mund të masakrohet një njeri në mënyrë të atillë deri në vdekje, nga kushdo person që mund ta ketë kryer këtë krim”, shprehet më tej ai.

Nga hetimet e policisë dyshohet se ai është goditur në kokë me hanxharin që përdorej për të prerë mishin.

Policia ka arrestuar për këtë krim Ervis Zylfaj, Altin Imeraj dhe Miklovan Zymeraj, përkatësisht pronarë dhe kuzhinieri i restorantit “Shija e Detit” ku punonte 28-vjeçari.