Tiranë, 15 gusht 2014 – "Jemi të frikësuar dhe të shqetësuar për gjithçka që po ndodh. Drejtësia të zbardhë se çfarë po ndodh me djalin tim”.

Kështu është shprehur në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” nëna e Ardian Bitrajt, të dyshuarit për vjedhjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë.

Familjarët e Ardianit nuk janë lejuar të takohen me të në qelinë e burgut 302 në kryeqytet, ndërkohë që ai ka pasur kontakte me avokatin e tij.

Nëna e Ardianit shprehet se nuk di të thotë nëse vjedhjen e parave e ka kryer apo jo i biri, pasi ai nuk ka sjellë asnjë lek në shtëpi.

“Nuk e dimë këtë gjë, sepse nuk kemi folur me Ardianin që të dimë se çfarë thotë ai. Por, prokuroria thotë se Ardiani e ka pranuar vetë se i ka vjedhur lekët, por tani prokuroria duhet ta zbardhë se si qëndron e vërteta. Në fillim u tha se djali im i sillte lekët që kishte vjedhur në shtëpi, por kjo nuk është e vërtetë. Edhe nga kontrollet që bënë, në shtëpi nuk gjetën asnjë lek”,- thotë ajo. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/