Ukrainë, 14 gusht 2014 – Shpërthime të mëdha kanë nisur sot në qytetin e kontrolluar nga rebelët pro-rusë në Donetsk, teksa një autokolonë ruse po i afrohet kufirit ukrainas.
Bombardimet vijnë në një moment kur autokolona me ndihma humanitare e Rusisë, po i afrohet gjithnjë e më shumë kufirit lindor ukrainas. Megjithatë, ende është e paqartë nëse kamionët do të futen në territorin ukrainas apo jo.
Raportet fillestare thonë se njerëzit kanë filluar të evakuojnë zyrat në qendër të qytetit, pas një paralajmërimi nga autoritetet vendase.
Donetsku ka qenë i rrethuar për disa javë nga forcat e Ukrainës, për të luftuar rebelët. Ndërkohë, burime nga vendi bëjnë me dije se 100 kamionë që transportojnë ndihma ruse po i afrohen kalimit kufitar të kontrolluar nga rebelët.
Në Ukrainë është përhapur alarmi mbi destinacionin e tyre përfundimtar. Rusia hodhi poshtë pretendimet absurde se ndihmat e saj humanitare janë një pretekst për t’i dërguar furnizime ushtarake rebelëve. Por, Ukraina ka bërë të ditur se autokolona do të ndalohet nga monitorues ndërkombëtarë, përpara se furnizimet të futen në territorin ukrainas.
Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 2000 njerëz raportohet të kenë vdekur, që kur konflikti nisi në mesin e prillit të këtij viti, dhe më shumë se gjysma e tyre kanë humbur jetën dy javët e fundit.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





