DURRËS, 14 gusht 2014 – Televizioni publik italian RAI ka edituar videon e veprimtarisë “Heshtja”, homazhit për viktimat e Luftës së Parë Botërore, e cila u zhvillua në disa vende të botës, ndër të cilat edhe në Durrës, ku u përfaqësua Shqipëria (shih: www.youtube.com/watch?v=m5RJ4UV0KVc).
Veprimtaria ishte pjesë e nismës së Presidencës italiane të BE-së në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të Luftës së Parë Botërore.
Sikurse është bërë e ditur dhe nga “Dyrrah”-u (shih www.durreslajm.com/sociale/durr%C3%ABsi-p%C3%ABrkujton-viktimat-e-luft%C3%ABs-s%C3%AB-par%C3%AB-bot%C3%ABrore), më 27 korrik 2014, Ministria e Kulturës, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare e Durrësit, në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit, organizuan ceremoninë në sheshin përpara bashkisë së Durrësit, e cila u filmua dhe tani është pjesë e video materialit që transmetohet nga kanalet e RAI.
Pjesa kryesore e ceremonisë ishte interpretimi i pjesës muzikore “Heshtja”, e cila u luajt në disa vende të botës, si SHBA, Britani e Madhe, Greqi, Portugali, Hungari, Rumuni, Kosta Rika, Mal i Zi, Rusi, Kubë, Poloni, Serbi, Maqedoni dhe Shqipëri.
Aktiviteti ishte nismë e gazetarit dhe shkrimtarit italian Paolo Rumiz nën drejtimin artistik të trombistit dhe kompozitorit Paolo Fresu.
Reinald Foçi ishte trombisti shqiptar, i cili interpretoi të njëjtët tinguj si në gjithë botën, si moment bashkimi dhe shprehje e përbashkët e homazhit për viktimat e Luftës së Parë Botërore.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





