Tiranë, 14 gusht 2014 – Në një moment kur shoqëria civile kërkon dorëheqjen e Guvernatorit Fullani, ndërsa drejtësia është ende duke punuar me dosjen e të akuzuarve si të përfshirë në vjedhjen e thesarit të Bankës së Shqipërisë, një vizitë është kryer në Bankë nga ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu.
Pas përfundimit të takimit me gurvernatorin Ardian Fullani, ambasadori amerikan shtrëngoi duart me të në dalje të selisë së zyrave të Bankës së Shqipërisë dhe dha një deklaratë për shtyp për mediat.
“Është e rëndësishme që të kujtojmë që ka një hetim kriminal siç duhet të ketë realisht sepse është një ceshtje serioze. Së dyti është cështje e kontrollit dhe e menaxhimit të brendshëm dhe ky incident nënvizon se gjithmonë do të ketë një kontroll menaxhimi të duhur dhe se kjo bankë është e udhëzuar drejt praktikave më të mira, por mesa duket ky sistem duhet të përmirësohet. Dhe e treta që duhet të nënvizoj është që ta shikojmë si cështje të brendshme, të mos ketë implikime politike, se BSH ndërvepron me Bankën Botërore, FMN, BERZH, dhe shumë banka të tjera dhe duke pasur parasysh rëndësinë, stabiliteti i bankës është shumë i rëndësishëm në mënyrë ndërkombëtare dhe për këto arsye ne e nënkuptojmë se shqiptarët, populli duhet të jenë të mërzitur dhe këtë e kuptoj se është një ndjenjë natyrore, por e rëndësishme që duhet lënë drejtësia të hetojë dhe se kjo është e rëndësishme dhe për stafin e BSH, Këshillin Mbikqyrës, Bordin Drejtues, dhe kur në shtator të mblidhet kuvendi të diskutohet sepse bankat duhet të mbiqyren por dhe duhet të jenë të pavarura”,- tha Arvizu.
Ndërkohë që në orën 13:00 pritet të mblidhet Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë.
Burime nga Banka e Shqipërisë kanë bërë të ditur se gjatë mbledhjes së sotme, e dyta që nga dita kur u zbulua vjedhja, do të kërkohet dorëheqja e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





