Spanjë, 13 gusht 2014 – Superkupa e Europës nuk është thjesht një trofe vere për Realin e Madridit pasi nëse hidhen sytë nga statistikat, kupa e fituar në Cardiff ka një vlerë të madhe për ekipin e Ancelottit. Ky është trofeu numër 78 në historinë e klubit madrilen që barazon kështu Barcelonën. Në palmaresin e tij, Reali i Madridit numëron 3 Kupa Interkontinentale, 10 Champions League, 2 Kupa UEFA, po kaq Superkupa të Europës, 32 tituj në La Liga, 19 Kupa Mbreti, 9 Superkupa të Spanjës dhe një Kupë të La Ligës. 

Arritje të pabesueshme nga klubi që ka dominuar një pjesë të madhe të futbollit të shekullit të kaluar. Trofeun e parë, ekipi mbretëror e ka marrë në 18 Prill të vitit 1905 pasi mundi 1-0 Athletic Bilbaon në finale e Kupës së Mbretit. Gjithsesi, brenda pak ditësh, Reali i Madridit mund ta parakalojë Barcelonën, pasi do të luajë edhe ndeshjen e Superkupës së Spanjës kundër Atleticos së Madridit. Në rast se “Los Blancos” triumfojnë edhe në këtë përballje, atëherë titujt në muzeun e tyre do të jenë 79 dhe Barcelona mund ta shikojë veten si ndjekëse edhe në këtë garë.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/