Tiranë, 13 gusht 2014 – Partia Demokratike ka vijuar edhe sot me denoncimin, të asaj që ajo e quan, megaskandalin e marrëveshjes së qeverisë me CEZ. Në një deklaratë për shtyp, Enno Bozdo tha se marrëveshja është një vjedhje që do u rëndojë drejtpërdrejt në xhep shqiptarëve.
Sipas Bozdos, marrëveshja jo vetëm i fal kompanisë çeke 3 miliardë dollarë dëme dhe borxhe, por i jep asaj në dorë 95 milionë euro, që do të shlyhen nga të gjithë ne. Bozdo tha gjithashtu se çmimi i energjisë do të rritet. Do të rritet, tha ai, sepse maxhoranca ka vendosur t’i falë CEZ gjithçka, shpërdorimet, të harrojë borxhin e pranuar, dëmin e shkaktuar ndaj interesave financiare të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Bozdo tha se persa i takon “Aferës CEZ”, opozita i ka faktuar opinionit publik se:
• “Marrëveshja CEZ” është negociuar në mungesë të plotë të trasparencës, në kundërshtim me interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve, në padijeni të Avokatit tonë ndërkombëtar, dhe duke mos marrë parasysh asnjë këshillë të tij;
• Avokati ynë dhe ekspertët tanë ndërkombëtarë janë përjashtuar nga këto negociata, në kundërshtim me detyrimin e negociatorëve për tu këshilluar nga ata;
• Janë afro 500 milionë euro që CEZ-as i ka borxh të pranuar kompanive shtetërore shqiptare, borxh nga i cili maxhoranca ka hequr dorë tashmë;
• Janë afro 3 miliardë dollarë dëm i përllogaritur si rezultat i menaxhimit katastrofik të kompanisë “CEZ shpërndarje” nga drejtuesit e saj, dëmshpërblim nga i cili maxhoranca ka hequr dorë tashmë;
• Sikur të mos mjaftonin këto, shqiptarët do t’i paguajnë kësaj kompanie, nga xhepat e tyre, edhe 95 milionë euro të tjera;
• Raportet e kompanive të mirënjohura ndërkombëtare i certifikojnë këto shifra; për më tepër, këto raporte, vërtetojnë se investimet e kryera nga CEZ në Shqipëri janë minimale dhe për rrjedhojë në shkelje të angazhimeve kontraktuale të kësaj kompanie;
• Raportet vërtetojnë abuzim financiar, shpërdorim detyre dhe evazion fiskal për drejtuesit e CEZ në Shqipëri, por maxhoranca u ka falur atyre imunitet të plotë juridik, ose e thënë ndryshe, “…ju bëtë çfarë deshët, por nuk do t’iu hyjë gjemb në këmbë..”;
Por ka edhe më; shqiptarët duhet të dinë se herët a vonë, dhe është vetëm çështje kohe, çmimi i energjisë elektrike do të rritet. Do të rritet pavarësisht se ne e kemi paguar tashmë CEZ për të mos i rritur çmimet. Do të rritet sepse maxhoranca ka vendosur t’i falë CEZ gjithçka, shpërdorimet, të harrojë borxhin e pranuar, dëmin e shkaktuar ndaj interesave financiare të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Pas kësaj marrëveshjeje, çmimi i energjisë do të rritet, dhe shqiptarët duhet ta dinë përse-në!
Përballë këtyre fakteve tronditese, të vërtetave të pamohueshme, maxhoranca ka zgjedhur të heshtë: hesht Kryeministri, heshtin ministrat e tij që si zakon e kanë të shfaqen ekraneve edhe për çdo zyrë të lyer rishtazi. Kryeministri ynë, që nuk përton të bëjë “selfie” vend e pa vend, që komenton çdo gjë dhe gjithçka, çuditërisht e kalon vetëm me një batutë “tëitter”-i këtë aferë të turpshme; ministrat rilindas që vetëm disa muaj më parë premtuan trasparencë dhe “hapje të petëve të lakrorit”, sot “macja u ka ngrënë gjuhën”!
Partia Demokratike do të vazhdojë të denoncojë me forcë përballë opinionit publik këtë aferë, si megavjedhjen e shekullit dhe megaskandalin financiar që dëmton pafund Shqipërinë dhe shqiptarët!
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





