Kinë, 13 gusht 2014 – “Kështjella mbi liqen” është një nga restorantet më prestigjoze të kryeqytetit kinez Pekinit. Duke filluar nga e hëna e 11 gushtit restoranti ka ndërruar emër duke u quajtur “Sazani Steak& Pasta House”.

Pronari i restorantit është shqiptaro-italo-amerikani Sonny Hasani. Ai premton se restoranti i ri do të jetë një biznes i suksesshëm në Pekin. Krahas cilësisë, stilit perëndimor dhe shërbimit elitar restoranti ofron edhe çmime të arsyeshme për të pasurit e rinj të kryeqytetit kinez. Për 5-6 $ mund të hash një drekë me bazë mishi (biftek, bërxolla, brinjë etj) dhe makaronash. Të shtunave restoranti do të ofrojë bufe me çmim 9,9 $. Ideja bazë e këtij biznesi është që të provosh specialitetet e kuzhinës perëndimore (italo-shqiptare) me çmim të arsyeshëm.

Z. Hasani shpjegon që emri “Sazani” i restorantit është emri i një ishulli shqiptar në detin Adriatik midis Shqipërisë dhe Italisë. Nëna e Hasanit është siçiliane, ndërsa babai shqiptar, kështu që shpjegon me shaka Hasani unë i vura emrin Sazan, ishullit midis Italisë dhe Shqipërisë, që mos t’i ngelte hatri as nënës as babait.

Z. Hasani shpjegon që menuja e restorantit është një përzierje e specialiteteve të mishit dhe pulës së pjekur tipike këto për guzhinën e fshatit e sidomos barinjve shqiptarë (ndikimi nga babai) dhe makaronave (specilitetit të famshëm italian), ndikimi nga nëna siçiliane.

Z. Sonny Hasani ka edhe një restorant tjetër po me emrin Sazani në qytetin e Peoria të Illinoisit në SHBA. Këtë restorant ai e menaxhon së bashku me të vëllain Tony Hasanin.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/