Nga Elvi FUNDO
Tiranë, 13 gusht 2014– Reforma në universitete është një nga fushat ku sot po debatohet më gjerë nga politika dhe shoqëria. Në fakt, ka një konsensus të gjerë të opinionit publik, se reforma duhej të ndodhte, se vërtet shumë shkolla të larta apo universitete private ishin kthyer në shtypshkronja diplomash. Shpesh media ka denoncuar skandale dhe ajo e djalit të politikanit Umberto Bosi në Itali, ishte me flagrantja. Mbështetje të gjerë ka patur nga shoqëria dhe opinioni publik për një reformë të vërtetë, dhe që i duhej shoqërisë, por ajo që flitet në media me atë çfarë ka ndodhur vërtetë, janë shumë larg njëra-tjetrës.
Kjo për disa fakte që do t’i përmend më poshtë. Së pari, reforma ka qenë e dirigjuar nga një universitet privat, i drejtuar nga Henri (Neim) Çili. Ky i fundit ka qenë ideatori dhe personi kyç në këtë “reformë”. Në të vërtetë, universiteti i Neimit duhej të mbyllej i pari, dhe ai vetë duhej të merrej i pandehur nga prokuroria, për mashtrim, fshehje të të ardhurave dhe abuzime. Për këtë na ndihmon vetë raporti i kontrollit të MAS dhe ajo që është shkruar në rreshtat e tij: Pak vite më parë, Çili deklaronte në broshurat e Universitetit të vet, dhjetëra dhe qindra pedagogë, të brendshëm dhe të jashtëm. Them në broshura, pasi në sigurimet shoqërore dhe organet tatimore deklaroheshin shumë pak prej tyre.
Ja si funksionoi në 2 vitet e fundit
Nuk ndodh kështu sot. Kontrollet tatimore dhe koordinimi i Drejtorisë së Tatimeve me Ministrinë e Arsimit ka bërë që këto dy vjet, Çili të ulë numrin e pedagogëve, në përpjekje për të ulur kostot dhe për të mos paguar sigurime shoqërore. Neim Universiteti uli dukshëm numrin e pedagogëve, duke raportuar gjithsej 167 pedagogë, nga të cilët 80 të brendshëm dhe 87 part-time. Sipas Udhëzimit Nr. 30 të datës 26.09.2007 që mban firmën e Ministrit Pollo, tek shtojca 1 pika 4 thuhet: Raporti personel akademik-student duhet të jetë 1 me 20 (dhe sigurisht këtu nuk llogaritet stafi i jashtëm). Po të kalkulojmë raportin pedagog-student, ky raport i Neim Çilit del 1 pedagog për 50 studentë. Këtu fillojnë dhe tirren hilet e raportuesve apo kontrolluesve të Ministrisë së Arsimit. Në rastin e “Neim universitetit”, kjo shifër merret në total, pra 167 pedagogë, duke lënë mënjanë pikën 4 të udhëzimit. Mjafton vetëm kjo shifër të vihet në jetë sipas udhëzimit dhe Neimi sot, duhej të ishte pa licensë. Kjo, nëse kontrollorët do t’i referoheshin udhëzimit të sipërpërmendur dhe nuk do të bashkonin me dashje stafin e brendshëm me atë të jashtëm dhe vizitorë. Në “Neim Universitetin”, nga një llogari e thjeshtë; 4 mijë studentë, që ka ky universitet, pjesëtuar me numrin e pedagogëve efektive, na rezulton shifra 1 me 50.
Shkeljet e Neim Çilit
Një tjetër fakt i shkeljes flagrante të ligjit, ka të bëjë me raportin staf i brendshëm dhe staf i jashtëm. Sipas udhëzimit të sipërpërmendur (Nr. 30 të datës 26.09.2007) që mban firmën e Ministrit Pollo, tek shtojca 1 pika 5 theksohet: Personeli efektiv akademik duhet të mbulojë rreth 2/3 e ngarkesës mësimore për çdo program studimi. Pra, raporti staf i brendshëm me staf të jashtëm duhet të jetë 70% me 30 %. Edhe ky fakt anashkalohet me dashje nga kontrollorët e MAS. Të dyja këto pika (4 dhe 5) të udhëzimit janë të qarta dhe në bazë të këtyre shkeljeve, qeveria ka vepruar në disa raste me heqje apo pezullim aktiviteti. Këtu, biem dakord të gjithë, që veprimi i qeverisë është plotësisht ligjor. Por, duke hulumtuar dhe investiguar, duke lexuar rreshtat e raportit të kontrollit, që iu është bërë universiteteve na del një fakt, i cili zbulon se reforma është drejtuar dhe dirigjuar nga Neim (Henri) Çili, apo ka qenë dukshëm në interesin e tij. Nëse, universitet e mbyllura nga qeveria u quajtën Kioska, universiteti i Çilit na del, Mega Kioskë. Në zbatim të ligjit: Stafi duhet të ishte; nga 167 pedagogë gjithsej; 110 efektive dhe 55 part-time. Këtu pra, ndeshemi përsëri me një shkelje flagrantë nga MASH, sepse pedagogët merren më total dhe jo sipas ndarjes së përcaktuar, “Neim universiteti” ka 30 pedagogë më pak efektivë; në total mbi 30% e stafit efektiv është jashtë tij dhe mbulohet me part-time, por udhëzimi e ka të përcaktuar: “Duhet të mbulojë 2/3” dhe kjo është një shkelje e dytë që e çon Mega Kioskën e Neimit, sipas pikës 5, pa licensë. Por, kjo për çudi nuk ka ndodhur!
Kushtet e infrastrukturës
Pika tjetër që “Neim universiteti” nuk plotëson sipas ligjit, janë kushtet në infrastrukturë. Sipas legjislacionit në fuqi, sipërfaqja në metër katrorë për çdo student duhet të jetë 4.5 – 5 m2 për shkencat shoqërore dhe 7.5 m2 studentë, në shkencat natyrore. Mega Kioska e Neimit, jo vetëm nuk plotëson këtë kusht (aktualisht ka rreth 9000m2), por është totalisht në shkelje të ligjit duke paraqitur në broshurat e tij një Mega kampus më 15. 000 m2 dhe sipërfaqe godine 13.000m2. Krahas kontrollit të ligjshmërisë për infrastrukturën, grupi i inspektimit në kuadër të verifikimit të ligjshmërisë ka pasur për detyrë të kontrollojë edhe katalogët apo broshurat e shpërndara informuese të universitetit (pika 20). Grupi i inspektimit në abuzim me detyrën ka fshehur të vërtetën në raport për Megakioskën e Çilit. Megjithëse në materialin e kontrollit përmendet sipërfaqja e godinës prej rreth 9000 m2 dhe në një pjesë tjetër të materialit përmendet edhe numri i studentëve, inspektorët kujdesen që të mos përmendin (fshehin) raportin m2/ student duke anashkaluar kërkesën e ligjit. Duket qartë se Megakioska e Çilit nuk plotëson një nga kushtet bazë, atë të infrastrukturës (ligji kërkon 4.5 m2/student në shkencat shoqërore, ndërkohë që universiteti i Cilit aktualisht ka vetëm 2.8 m2/student). Grupi i inspektimit përsëri në abuzim me detyrën ka fshehur të vërtetën në raport për Megakioskën e Çilit, këtë radhë për vërtetësinë e materialeve publicitare. Në broshurat e Cilit deklarohet një Mega kampus me një sipërfaqe 15.000 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 13.000 m2. Broshurat i gjeni gjithandej dhe mund ta verifikoni. Aktualisht të dy godinat bashkë të Megakioskës së Çilit kanë një sipërfaqe totale prej 9000 m2. Grupi i kontrollit përsëri fsheh të vërtetën dhe duke e anashkaluar këtë fakt, abuzon me detyrën. Kujtojmë që abuzimi me detyrën përbën vepër penale. Evidentimet e sa mësipërme përbëjnë shkelje flagrantë të ligjit, çka duhet të çonte automatikisht në heqje të licencës së UET. Por, kjo për çudi nuk ka ndodhur!
2 rastet konkrete për mos heqjen e liçencës
Në të vërtetë këtu nuk ka ndonjë çudi. Mos heqja e licensës nuk ndodhi, sepse njeriu që përgatiti ligjin e ri ishte vetë Neimi; strukturat u financuan nga Neimi, madje edhe zgjidhjet i ka gjetur vetë Neimi në takimet e tij të vazhdueshme. Ka shumë raste për ta ilustruar këtë, por po përmendim vetëm dy prej tyre: Përpara aktivitetit për Ligjin e Arsimit të Lartë tek hotel “Sheraton” (i organizuar po nga Neim Çili), u organizua një takim i Çilit me Endri Fugën, në një nga restorantet në qendër të Tiranës, takim i cili i dha dorën e fundit ligjit në fjalë. Dreka e fundit, që mund të quhet me plot gojën edhe “dreka mortore e universiteteve”, e Kryeministrit Edi Rama me Neim Çilin, është shtruar pikërisht ditën kur universiteteve iu hoqën licensat, edhe ky aktivitet ka qenë me nismën dhe sponsorizimin e vetë Neim Çilit. Fakti më tronditës është se, një prej universiteteve- kioska, i akuzuar disa herë për shitje diplomash dhe i shumë akuzuar nga Ministria e Arsimit, po shkon nën sqetullën e Neimit, nëpërmjet një lëvizjeje “ligjore”, ai do jetë pjesë e UET dhe do të funksionojë njësoj si më parë…, pra Mega Kioska vazhdon të zmadhohet si “vrima e zezë” në Kozmos. Tani kuptohet se, ato që trumpeton i nderuari kryeministër dhe ministria e tij, janë vetëm fjalime populiste politike, që të kujtojnë proverbin e vjetër se: ”Gënjeshtrat më të mëdha thuhen publikisht!”. Në këtë reformë ata që digjen, janë më të dobëtit dhe pa përkrahje në rangjet e larta qeveritare. Pjesa më e madhe e atyre që po përfliten se “falimentuan” nuk kanë dalë nga loja. Kioskat kanë ndryshuar vetëm lojën dhe bojën; nëse kishin nga një menaxher, tani do kenë Neim Çilin kryemenaxher. Për më tepër, qëllimi kryesor i këtij njeriu nuk është cilësia në arsim, por rritja sa më shpejt e çmimit për student tek privatët. Të gjitha rrugët të çojnë tek ky përfundim. Pas lojës me qeverinë, luftës me rivalët, marrjes nën sqetull të Kioskave brenda Mega Kioskës dhe mega piramidës të “Neim Universitetit”, çmimet do të shkojnë në stratosferë, dyfishimi i tyre është minimum i asaj që do të ndodhë.
/gazeta “Sot”/





