DURRËS, 12 gusht 2014 –  Edhe stërvitje edhe realizim detyrash, komanda e Forcës Detare me seli në Plepa të Durrësit njofton se flotilja ka kryer kontrollin e hapësirës detare, zbatimin e ligjshmërisë me praninë e anijeve, duke rritur dhe sigurinë e pushuesve të shumtë që kanë mbushur bregdetin shqiptar dhe se gjatë veprimeve me çift dhe grup anijesh të tipave të ndryshme, është patrulluar bregdeti nga derdhja e Bunës në Vjosë, Palermo e deri në Sarandë.

Aktualisht, efektivat e Flotiljes po mbyllin fazën e dytë të programit stërvitor, përgatitjen e oficerëve të rinj për marrjen e të drejtës lundrimore, si dhe patrullimin e  hapësirës detare sipas zonave të përgjegjësisë, tha komanda e Forcës Detare.

Kapitenlejtënant Olsi Avduli shpjegon se në javën e 13-të të stërvitjes, po zbatohet detyra nr. dy, që ka për qëllim kompaktësimin e veprimeve me çift dhe grup anijesh të tipave të ndryshme, shoqëruar me patrullime të vazhdueshme nga derdhja e Bunës në Vjosë, Palermo e deri në Sarandë.

Në këtë mënyrë është kryer kontrolli i hapësirës detare, zbatimi i ligjshmërisë, por prania e anijeve ka rritur dhe sigurinë e pushuesve të shumtë që kanë mbushur bregdetin shqiptar, thekson kapiteni.

Ndërkohë lundrimet e shumta kanë aftësuar ekuipazhet e anijeve të reja, “Lissus” e “Butrinti”, sipas detyrave në postet përkatëse, por dhe mjaft kuadro detarë kanë marrë detyrën e vetëdrejtimit të anijeve.

Grupi i bordingut po zhvillon program të veçantë për veprimet në anije, ndërsa një grup kuadrosh po ndjekin kurs intensiv të anglishtes.

Një grup kuadrosh në shtabin e Forcës Detare dhe flotilje kanë hartuar dokumentacionin përkatës për zhvillimin e stërvitjes “Delfini-2014”, që finalizon objektivat e kësaj periudhe.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/