Tiranë, 12 gusht 2014 – Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, thotë se me hartën e re territoriale nuk mund të ketë zgjedhje vendore në 2015-n.

“Ne e kemi bërë të qartë se kjo vetëm reformë nuk mund të quhet kjo është ndryshim i hartës zgjedhore sipas interesave ekonomike dhe politike të Ramës dhe Metës, që e kanë ndarë Shqipërinë sipas orekseve të tyre. Me këtë hartë, jo se nuk do hyjë PD në zgjedhje, por me këtë hartë nuk do të ketë zgjedhje. Me këtë hartë, pushteti lokal nuk mund t’i falet Ramës dhe Metës në këtë mënyrë. Të ulen dy vetë në tavolinë dhe të vizatojnë një hartë për të ndarë tortën mes Ramës dhe Metës, kjo nuk mund të ndodhë, ne do ndjekim të gjithë hapat politikë dhe ligjorë që kjo të mos ndodhë”,  shprehet Paloka për News 24.

Lidhur me bojkotimin e Parlamentit nga PD, Paloka thotë se ai do të vazhdojë nëse kreu i maxhorancës nuk reflekton.

“Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë, në një Parlament ku opozitës me të gjitha mënyrat përpiqet ti mbyllet goja, dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për të drejtat kushtetuese të opozitës, por me urdhër të Ramës opozitës edhe fizikisht përpiqej t’i mbyllej goja, ne ishim në dilemë duke rrezikuar ta çonim Pparlamentin në një situatë deri në përplasje fizike dhe gjakderdhje. Ne u gjendëm në këto kushte dhe morëm vendimin të dalim nga Parlamenti. Nëse Rama nuk reflekton, ne do e bëjmë opozitën me forma të tjera. Por, vendimet do të merren hap pas hapi”, thotë Paloka.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/