Francë, 12 gusht 2014  – Një gjykatë në Francë ka dënuar me 10.000 euro gjobë një burrë, pasi ky i fundit nuk kishte kryer siç duhet detyrat bashkëshortore dhe kishte disa vite që nuk kryente marrëdhënie seksuale me gruan e vet. 

Vendimi është marrë nga Gjykata e Apelit në qytetin jugor Aix-en-Provence. Kjo gjykatë në fakt la në fuqi një vendim të mëparshëm që detyronte burrin të dëmshpërblente ish-gruan për “ mungesë të marrëdhënieve seksuale”. 

Çifti, të dy nga 51-vjeç, u martuan në vitin 1986 dhe kanë dy fëmijë. Në vendimin e gjykatës thuhej se gruaja e meritonte dëmshpërblimin për shkak të vuajtjeve që i ishin shkaktuar nga martesa e saj e ftohtë. 

Gjykata hodhi poshtë argumentet e burrit që problemet shëndetësore dhe orët e gjata të punës thjesht kishin reduktuar mundësitë e çiftit për të pasur marrëdhënie seksuale. 

Gjykata theksoi se ai nuk kishte provuar që problemet shëndetësore e bënin atë krejtësisht të paaftë për të pasur marrëdhënie intime me gruan e tij.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/