Spanjë, 12 gusht 2014 – Fondi grant i pamjaftueshëm i Federatës Shqiptare të Qitjes ka detyruar tre sportistë të ekipit kombëtar të shkojnë me paratë e tyre në kampionatin e 51-të botëror në Granada të Spanjës, i cili zhvillohet nga 6-20 shtator.
Zyrtarisht konfirmohet se pjesë e përfaqësueses shqiptare në Botëror, njëherësh garë kualifikuese e Lojërave Olimpike “Rio 2016″, do të jenë Lumturie Pepa në pushkë; Arben Kuçana në pistoletë dhe Marina Jakova në ushtrimin e pistoletës.
Mësohet se në Spanjë do të konkurrojë një tjetër qitëse shqiptare, por me flamurin e Kombëtares amerikane.
Kombëtarja do të shoqërohet nga trajneri i Kombëtares, Alush Alla.
Ndërkohë, Federata pritet të tërheqë brenda pak ditëve nga dogana katër setet me armë të bllokuara atje prej muajsh, në pamundësi të shlyerjes së detyrimeve.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





