DURRËS, 12 gusht 2014 –  Në portin e Durrësit po ngarkon për eksport 23 mijë tonë klinker një anije gjigante e Singaporit.

Sipas raportit ditor të dispeçerisë së Autoritetit Portual Durrës (APD), në Terminalin Lindor, në kalatën nr. 11, me thellësi 7.3/9.9 metra, po përpunohet anija  IVS KANDA, transportues gjigant për mallra të paambalazhuara të ngurta (italisht:  rinfuse,  anglisht:  dry cargo / bulk).

IVSKANDA po ngarkon 23 000 tonë klinker (lëndë e parë për prodhim çimentoje) për eksport, operator  EMS APO, agjenci detare  Alba Transport  shpk, me seli në Vorë.

Anija ka mbërritur në radën e portit të Durrësit më 11 gusht 2014, ora 16:15, i nisur në mesnatën e 8 gushtit 2014 nga porti spanjoll i Valencia-s.

Info

IVS KANDA  ka gjatësi prej 177 m  dhe gjerësi 28.41 m; kapacitet bartës dhe peshë vetjake gjithsej prej 32 621 tonë; thellësi 6.4 m; shpejtësi 14.3 / 12.4 nyja.

U ndërtua në vitin 2004 në kantierin  Kanda Shipbuilding – Kure  dhe u klasifikua nga regjistri japonez  Nippon Kaiji Kyokai.

Mban flamurin e Singaporit, ku është selia e pronarit dhe menaxherit  Grindrod Shipmanagement – Singapore.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/