Greqi, 12 gusht 2014  – Gazeta prestigjoze greke Kathimerini shkruan në një artikull rreth planeve të Bashkimit Evropian për ristrukturimin e bankave të nivelit të dytë në Greqi. Projektplani për bankën greke NBG (National Bank of Greece) u përfundua në fund të korrikut.

Në këtë plan, Banka NBG me patjetër duhet të mbyllë filialet e saj jashtë Greqisë, në vende të tilla si Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia, Afrika e Jugut, Rumania dhe Serbia. Kësaj banke do t’i lejohet të mbajë filialet e veta në Qipro, Maltë dhe Angli.

Banka do lejohet të mbajë filialin në Turqi, por duhet të shesë 20% të aksioneve në pronësi të saj të bankës turke Finnansbank. Shitja e filialeve të bankës do të përfundojë brenda qershorit të vitit 2018.

Pritet që filiali shqiptar i Bankës NBG të shitet apo mbyllet gjatë vitit 2015. Gazeta nuk jep hollësi si do procedohet me depozitat e shqiptarëve në këtë bankë, si do procedohet me kreditë e dhëna sidomos me kreditë e këqia (non performing loans).

Për sa i përket Bankës së Pireut edhe kjo bankë do të ketë reduktim degësh e personeli në Greqi si edhe mbyllje filialesh jashtë Greqisë. Banka me patjetër duhet të reduktojë asetet e saj jashtë Greqisë duke mos i pasur më të larta se 3,1 miliardë euro deri në qershor 2018.

Degët bullgaro-serbe e shqiptare të Bankës së Pireut duhet të shiten deri në qershor 2018. Banka e Pireut në Shqipëri ka një filial të quajtur Tirana Bank. Eurobank dhe Alpha Bank po ashtu janë të detyruara të reduktojnë numrin e degëve në Greqi, të ulin koston e operacioneve, të shesin sektorë të tillë si kompanitë e siguracioneve, të pasurive të paluajtshme si edhe departamentet e investimeve.

Alpha Bank po ashtu do ta shesë filialin e saj në Shqipëri brenda qershorit të vitit 2018.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/