Tiranë, 12 gusht 2014 – Ministria e Arsimit dhe Sportit ka përcaktuar procedurat e plota që do të ndjekin studentët, të cilët studiojnë në institucionet e arsimit të lartë, që iu hoq licenca. Sipas udhëzimit të ministres Lindita Nikolla, këta studentë do të kenë mundësi të transferojnë studimet e tyre në programe studimi të njëjta apo të ngjashme të të njëjtit cikël studimi në një universitet publik ose privat të arsimit të lartë, brenda ose jashtë vendit. Ndërkaq, udhëzimi përcakton se universitet publike dhe ato private pritëse duhet të ngrenë një komision, i cili do të merret me vlerësimin, njohjen dhe ekuivalentimin e krediteve të grumbulluara nga studenti si dhe të periudhave të studimit.
Ky komision duhet të mblidhet brenda datës 25 shtator për të kryer renditjen e studenteve aplikantë mbi bazën e një sistemi pikëzimi. Sistemi i pikëzimit konsiston në notën mesatare të studimeve të shkollës së mesme, studimeve universitare pararendëse dhe performancës (ritmit) së shlyerjeve të detyrimeve akademike në IAL-te paraardhëse.
Dokumentet
Aplikimi për transferimin e studimeve duhet të kryhet brenda datës 20 shtator 2014, ndërkohë që studentët e universiteteve të mbyllura duhet të paraqesin një sërë dokumentesh pranë IAL-ve publike apo private, ku dëshirojnë të vazhdojnë studimet. Fillimisht ata duhet të dorëzojnë dosjen personale, e cila duhet të tërhiqet pranë universitetit ku ata studionin. Po ashtu duhet të paraqitet fotokopja e noterizuar e diplomës së Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave, ose të një dëftese apo diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të në Shqipëri dhe të njohur nga komisioni i posaçëm për njohjen e diplomave të arsimit të mesëm në MAS. Ndërkohë që kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme në Shqipëri përpara vitit 2011 duhet të dorëzojë një fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë të shkollës së mesme, së bashku me vërtetimin nga Agjencia Kombëtare e Provimeve për shlyerjen eventuale të provimeve me zgjedhje. Në rastet kur dokumenti është lëshuar nga një institucion i huaj, ai duhet legalizuar në vendin ku ndodhet institucioni që e ka lëshuar si dhe duhet të jetë i përkthyer në gjuhën shqipe. Gjithashtu, studentët që do të transferojnë studimet duhet të dorëzojnë edhe fotokopjen e një dokumenti identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë), dy fotografi si dhe një deklaratë personale, ku thuhet se nuk ndjekin ndonjë program tjetër studimi në institucione të tjera të arsimit të lartë dhe që nuk do të ndjekin njëkohësisht një program tjetër studimi, deri në përfundimin e programit të studimit ku ai po aplikon. Së fundi, studentët që do transferojnë studimet duhet të paraqesin edhe autorizimin për trajtimin e të dhënave personale sipas modelit të përcaktuar nga MAS. Ndërkaq, studentët që aplikojnë për transferim të studimeve në programe studimi të ciklit të dytë (master) duhet të dorëzojnë fotokopjen e noterizuar të diplomës/diplomave të ciklit/cikleve të mëparshëm të studimit të arsimit të lartë së bashku me certifikatën e notave dhe suplementin e diplomës/diplomave përkatëse. Në rastet kur dokumenti është lëshuar nga një institucion i huaj, ai duhet legalizuar në vendin ku ndodhet institucioni që e ka lëshuar dhe duhet të jetë i përkthyer në gjuhën shqipe, si dhe i njohur në Republikën e Shqipërisë nga Komisioni i Njohjes së diplomave të arsimit të lartë në MAS. Në qoftë se kandidati nuk ka diplomë të Maturës Shtetërore apo dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesë dublikatë të saj, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore përkatëse ose listën e notave te shkollës së mesme lëshuar nga Arkivi i Shtetit.
Dosja
Ndërkaq, udhëzimi i MAS përcakton në detaje dhe përmbajtjen e dosjes personale të studentit. Kjo dosje duhet të përmbajë dokumentin e çregjistrimit, planin e plotë të programit të studimit, listën e lëndëve të shlyera me notat dhe kreditet përkatëse si dhe listën e notave dhe kreditet e fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, e cila do të shërbejë për ekuivalentimin e notave të lëndëve të programit të studimit të ndjekë. Gjithashtu, dosja e studentit duhet të përmbajë edhe kopjen e kontratës së lidhur në kohën e regjistrimit të studentit në IAL-në përkatëse, kopjen e dokumentit që dëshmon zgjidhjen e kontratës, si dhe diplomat e cikleve të mëparshme të studimit dhe/ose të shkollës së mesme të kryer nga studenti (institucioni mban një fotokopje të vulosur nga vetë institucioni), si dhe kopje të dosjes së regjistrimit fillestar të studentit në këtë IAL.
Dokumentet për transferimin e studimeve
Studentët që do transferojnë studimet duhet të dorëzojnë në universitetet pritëse:
Dosjen personale, e cila duhet të tërhiqet pranë universitetit ku ata studionin.
Fotokopje e noterizuar e diplomës së Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave.
Kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme në Shqipëri përpara vitit 2011 duhet të dorëzojë një fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë të shkollës së mesme, së bashku me vërtetimin nga Agjencia Kombëtare e Provimeve për shlyerjen eventuale të provimeve me zgjedhje.
Fotokopjen e një dokumenti identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë).
Dy fotografi.
Deklaratë personale ku thuhet se nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi në institucione të tjera të arsimit të lartë dhe që nuk do të ndjekë njëkohësisht një program tjetër studimi, deri në përfundimin e programit të studimit ku ai po aplikon.
Autorizimin për trajtimin e të dhënave personale sipas modelit të përcaktuar nga MAS.
Studentët që aplikojnë për transferim të studimeve në programe studimi të ciklit të dytë (master) duhet të dorëzojnë:
Fotokopjen e noterizuar të diplomës/diplomave të ciklit/cikleve të mëparshëm të studimit të arsimit të lartë së bashku me certifikatën e notave dhe suplementin e diplomës/diplomave përkatëse.
Në qoftë se nuk ka diplomë të Maturës Shtetërore apo dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesë dublikatë të saj.
Dosja personale e studentit duhet të përmbajë:
Dokumentin e çregjistrimit.
Planin e plotë të programit të studimit.
Listën e lëndëve të shlyera me notat dhe kreditet përkatëse.
Listën e notave dhe kreditet e fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer.
Kopjen e kontratës së lidhur në kohën e regjistrimit të studentit në IAL-në përkatëse. Kopjen e dokumentit që dëshmon zgjidhjen e kontratës.
Diplomat e cikleve të mëparshme të studimit dhe/ose të shkollës së mesme të kryer nga studenti.
Kopje të dosjes së regjistrimit fillestar të studentit në këtë IAL.
/Gazeta Shqiptare/





