Nga Gjergj Thanasi
Durrës, 12 gusht 2014– Të dy këto njësi vendore nuk do të ekzistojnë më pas zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm, por do të jenë pjesë përbërëse të superbashkisë Durrës. Duke u mbështetur në rezultatet e zgjedhjeve vendore të vitit 2011 dhe të atyre parlamentare të vitit 2013 do të përshkruajmë si ka qenë trendi i votimit në Sukth dhe Ishëm. Do të përpiqemi të bëjmë një parashikim të arsyeshëm se si mund të jetë sjellja e elektoratit në këto dy njësi tashmë, që ky elektorat do të votojë si pjesë e superbashkisë Durrës.
Në vitin 2011, PD-ja dhe aleatët e saj në Sukth (përfshirë LSI-në) morën 54% të votive, duke realizuar një fitore të pastër mbi PS-në dhe mikro aleatët e saj, që së bashku morën 30,78% të votave. Me interes ishte edhe performanca e kandidatit të pavarur z. Hysen Llaca, i cili mori rreth 15,22% të votave. Kuptohet në votime të tilla lokale ka ndikim dhe vota personale, që merr përfaqësuesi i partisë, pra shifra e fitores së PD-së në këtë kontekst ka edhe votën personale të z. Fortuzi.
Në vitin 2013, PS-ja mori 2934 vota ose 36,54% të votave, pra një ngritje jo e vogël krahasuar me 2160 votat e vitit 2011, ku hynin dhe votat e mikroaleatëve të PS-së. Kjo ngritje e PS-së dhe thuajse barazim me PD-në ishte rezultat i frymës anti PD në elektorat dhe i konsumimit të PD-së në mandatin e dytë të saj.
Kujtojmë se në vitin 2011 votat për kandidatin e PD-së përfshinin dhe votën çame, votën deri diku dhe të LSI-së atëhere aleate me PD-në si edhe votën e mikro partive të djathta. PD-ja, në vitin 2013, mori 2955 vota ose 36,8% të votuesve, vota këto neto pa LSI, pa aleatë, sidomos pa votën çame. Intersant është fakti se në Sukth, PD-ja pati një rrjedhje drejt partisë së ish presidentit Bamir Topi, FRD-së prej 2,42% ose 194 vota. Nuk dihet sesi u ndanë votat personale të z. Hysen Llaca, vota këto, që siç e kemi theksuar, janë goxha të rëndësishme për bilancin përfundimtar në këtë zonë.
PS-ja në zgjedhjet e ardhshme normalisht në këtë zonë duhet të jetë e kënaqur me ruajtjen e statuskuosë, sepse një diferencë e lehtë negative me votën e PD-së nuk i bën dëm në rezultatin përfundimtar, ku për PD-në diferenca e Dakos në Durrës në vitin 2011 dhe e PS-së në vitin 2013 është me të vërtetë shkatërruese.
Me beneficiet që ofron pasja në dorë e pushtetit qëndror, me miqtë personalë të Dakos, që kanë goxha influencë në këtë zonë dhe me një përkrahje qoftë dhe të moderuar të LSI-së, apo një përçarje të votës çame, PS-ja e ka lehtësisht të sigurtë ruajtjen e statuskuosë. Një statuskuo si e vitit 2013 është një hap i sigurtë për një fitore pa telashe të Dakos në vitin 2015.
PD-ja duhet me patjetër të përmbysë trendin e vitit 2013, duke arritur më së paku nivelin e votave të vitit 2011, d.mth. mundësisht mbi 3789 vota, sepse në zonë kemi krahas rritjes natyrale edhe rritje mekanike të popullsisë, d.m.th. kemi rritje të numrit të personave me të drejtë vote. Për këtë rëndësi të dorës së parë kanë votat personale të z. Hysen Llaca. Nëse këto vota i bashkëngjiten si të thuash mekanikisht votave të PD-së, objektivi i PD-së në zonë është thuajse automatikisht i siguruar.
Rëndësi ka dhe sigurimi i besnikërisë së votës çame. Dihet që, ndonëse çamët kanë qenë zyrtarisht në aleancë me PD-në, kryebashkiaku Dako ka arritur me anë të njohjeve personale të tërheqë një numër jo të vogël votash çame.
Nëse Osman Stafa, kryetari i ri i PD-së, Durrës do të shfrytëzojë me sukses kontaktet personale në zonë si edhe heqjen nga puna si drejtor tatimesh në Durrës të vëllait të kryebashkiakut demokrat Fortuzi, ka mundësi që në Sukth PD-ja ta tejkalojë ndjeshëm nivelin e 3789 votave.
Kuptohet ruajtja e votave, kur socialistët kanë pushtetin qëndror, është një mesele më vete dhe nuk do të analizohet këtu. PD-ja duke qenë kundër shkrirjes së Bashkisë Sukth normalisht me pak punë e intelegjencë mund të tërheqë dhjetra ndoshta qindra vota të njerëzve të pakënaqur nga kjo shkrirje bashkie, që u prek interesa e privilegje të vogla. Një përfaqësim me dinjitet në super këshillin bashkiak të faktorëve, që thithin vota në Sukth (faktori Fortuzi, faktori Llaca, etj) veç do të thithë vota pro PD-së në zonë.
PS-ja mund të ketë rrjedhje vote jo vetëm prej faktorëve të lartpërmendur, por edhe nëse do të shfaqë shenja mendjemadhësie (si Teliti në vitin 2007) apo nëse do i diskriminojë sukthianët në këshillin e ardhshëm të superbashkisë apo nuk do t’u plotësojë militantëve me peshë lokale qoka të vogla, lehtësisht të plotësueshme nga pasja në dorë e pushtetit qëndror.
Beteja elektorale në Ishëm
Në vitin 2011, Gëzim Ylli i PD-së mori 1 339 vota ose 40,48%, ndërsa Sulejman Ibrahimi i PS-së mori 1969 vota ose 59,52%. LSI-ja, në vitin 2011, për shkak të faktorit Braho e ndihmoi fuqimisht z.Ylli, që gjithsesi nuk fitoi dot, por u shpërblye nga PD-ja me post drejtori.
Në vitin 2013, PS-ja mori 1 364 vota, pra shumë më pak se 1969 votat e përfaqësuesit të saj Sulejman Ibrahimit.
PD-ja, në vitin 2013, si në çdo bashki e komunë të Qarkut Durrës mori më pak vota se në vitin 2011 për kryetarë bashkish e komunash. PD-ja mori në vitin 2013 në Ishëm 1080 vota.
Në vitin 2013, LSi-ja mori 157 vota, pra PS-ja bashkë me LSI-në përsëri janë inferiore në numër votash ndaj votës partiako-individuale të kryetarit aktual të kësaj komune, Sulejman Ibrahimit. Ky është me të vërtetë problem për PS-në.
Zoti Ibrahimi ka vota personale, që fare mirë mund të bëjnë dferencën në këtë zonë në zgjedhjet e vitit 2015. Normalisht PS-ja edhe me votën e reduktuar ( PS+ LSI + mikro aleatë, nëse nuk i largohen mikro-aleatët ) të vitit 2013 përsëri është e kënaqur, sepse PD-së edhe kështu i pakësohen në minimum shanset për të fituar në rang super-bashkie. Për PS-në, ruajtja e nivelit të vitit 2013 është një objektiv, që po u arrit automatikisht i jep edhe fitoren në nivel superbashkie.
PD-ja ka mundësi ta ndërrojë trendin humbës në Ishëm, ku nga viti 1992 më shumë ka fituar PS-ja sesa PD-ja, nëse punon me kujdes me faktorët lokalë.
Kryekomunari Ibrahimi publikisht është shprehur kundër Ndarjes Territoriale. Ai me të drejtë konstaton, që Ishmi mbi 50 km. larg Durrësit, kurrsesi nuk mund t’i bashkëngjitet Durrësit. Ai ofron si zgjidhje një bashkim të Ishmit me Komunën e Bubqit, me Bashkinë e Manzës, me Komunën e Maminasit duke formuar një bashki të re me mbi 40 000 banorë.
Normalisht kësaj kërkese të kryekomunarit socialist nuk ia fërshëlleu kush në qeveri. Një pakënaqësi e tillë po nuk u neutralizua do të jetë ekuivalente e 800-900 votave minus për PS-në në këtë zonë dhe ndoshta gjysma e tyre me pak punë nga ana e PD-së mund të “kalojë ylberin” e të votojë për PD-në. Pra dopio humbje votash për PS-në.
Nëse Dako nuk e neutralizon këtë faktor me beneficie të pushtetit qëndror apo me përfaqësim të privilegjuar të Ishmit në superbashkinë e Durrësit, normalisht PS-ja mund të ketë ndonjë surprizë të pakëndshme në këtë komunë. Në këtë kontekst theksojmë që vota e LSI-së në Ishëm nuk është krejt e sigurtë për PS-në, për shkak të interesave të bashkëlidhura të ndonjë deputeti me peshë të LSI-së, me drejtues historikë të PD-së në Ishëm. 161 votat e Partisë Republikane në Ishëm në vitin 2013 janë kryesisht vota personale të deputetit Duka, kështu që nuk dihet se në cilin drejtim do të precipitojnë ato në vitin 2015. Partia e Topit në Ishëm, me 44 vota ose 1,45%, në vitin 2013, tregoi që në këtë komunë ajo nuk mund t’i shkaktojë ndonjë hemoragji kushedi se çfarë PD-së.
Kujtojmë që në Shqipëri, fati i bashkive shumë të rëndësishme, është ndarë edhe për një grusht votash (Tirana 2011) apo siç e di fare mirë kryebashkiaku Dako në zgjedhjet e vitit 2007. Nëse beteja elektorale për Durrësin në vitin 2015 do të jetë e tipit “rrotë më rrotë”, thyerja e trendit fitues e në ngjitje të PS-së në Ishëm mund të jetë një faktor kyç në fitoren e PD-së.
Z.Stafa e njeh mirë psikologjinë, mentalitetin, lidhjet klanore, farefisnore e miqësore të këtyre zonave rreth qytetit të Durrësit dhe me pak zgjuarësi e finesë mund të shkaktojë rezultate surprizë pro PD-së duke e thyer (të paktën teorikisht, sipas hesapit të numrave në tavolinë) edhe të pamposhturin Dako.
Loja vazhdon. Fitorja e PS-së nuk është si një Pizza –Taxi, ku mjafton t’i biesh telefonit e të vjen me motoçikletë e gatshme tek dera e shtëpisë. Deri në minutën e fundit, deri në votën e fundit, beteja elektorale ‘Durrësi 2015’ do të jetë e ashpër.
Demokratët nuk duhet të bien në dëshpërim se e kanë të humbur superbashkinë bregdetare pa filluar ende votimi, ndërsa socialistët nuk duhet të flenë mbi dafina se çfarëdo që të ndodhë, sado që të përpiqet PD-ja, fitorja në superbashkinë Durrës është e sigurtë si një edhe një, që bëjnë dy. Këtë betejë elektorale do ta fitojë pala, që do bëjë më pak gabime, pala që nuk do t’i hypë vetja në qejf, pala që do ketë kandidatin më me këmbë në tokë dhe më të gatshëm ta ndajë “tortën” e pushtetit me të gjithë faktorët, që sjellin vota në “shportën” e përbashkët.
Fitorja do t’i takojë atij kandidati, që do luajë sipas mënyrës amerikane: TEAM SPIRIT!
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





