Ish-kryetari i njësisë administrative nr.6, Serjan Mazrreku ka dalë sot në mbështetje të banorëve që një ditë më parë u ngritën në protestë për rishikim të projektit të rikonstruksionit të rrugës “Shkumbini”.
Mazrreku i bëri thirrje bashkisë që banorët e kësaj zone t’i mbështesë njësoj si të gjithë qytetarët e tjerë dhe të mos krijojë ndasi. Sipas tij, kjo është një hakmarrje ndaj banorëve që nuk votuan Partinë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit.
“Mos ta bëjnë politike pse Partia Socialiste ka humbur thellë në zonën e Kënetës.”, shprehet Mazrreku ndërsa vijon se me gjërësinë që ka segmenti rrugor është e mundur që të bëhen dy rrugë, jo një e tillë.
“Ndaj i lutem OSHEE-së të marrë masa për të hequr shtyllat dhe të vazhdojnë në normalitet investimin në këtë rrugë që kemi kaq kohë që lobojmë, ku kemi patur kaq shumë debate, pasi interesi i tyre ka qenë shumë i vogël për të sjellë investime në këtë zonë.”, përfundon Mazrreku.
Kujtojmë që një ditë më parë, banorët e rrugës “Shkumbini” në lagjen nr.14 protestuan kundër projektit të rehabilitimit të aksit pasi iu shemben rrethimet dhe banesat.
Një tjetër problem që ngritën qytetarët ishte mbyllja e kanalit me rërë deti, që sipas tyre, do të shtojë mundësitë e përmbytjeve të shtëpiave në kohë reshjesh, ashtu siç ka ndodhur ndër vite.





