DURRËS, 11 gusht 2014 – Togat e zeza të Krujës i kishin falur 7 muaj burg, duke ia konvertuar këtë periudhë me qëndrim në shtëpi, por nuk ishte dakord Apeli i Tiranës, që pas 13 muajsh hodhi poshtë vendimin e shkallës së parë, duke e shpallur në kërkim të dënuarin për prodhim dhe shitje të narkotikeve.
Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrës-Krujës njofton se të dielën, më 10 gusht 2014, rreth orës 11:00, policia kufitare dhe migracionit në portin e Durrësit kapi të kërkuarin Jonel Kollari, 29 vjeç, banues në Tiranë.
Është një histori e “vjetër”: 29 vjeçari u shpall në kërkim, pasi gjykata e Apelit e Tiranës, me vendim datë 23.5.2012, ka ndryshuar vendimin e datës 30.6.2011 të gjykatës së rrethit gjyqësor të Krujës.
Togat e zeza të qytetit të Skënderbeut kishin pranuar kërkesën e Jonel Kollarit mbi aplikimin e dënimit alternativ të qëndrimit në shtëpi për pjesën e mbetur të dënimit prej 1 vit, 5 muaj e 23 ditë për prodhim dhe shitje të narkotikeve.
Të kërkuarit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 7 muaj burg.
I ndaluari iu dorëzua drejtorisë së policisë së shtetit të qarkut të Tiranë-Kavajës.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





