DURRËS, 10 gusht 2014 – Pasi ka nënshkruar më 22 korrik një kontratë ekskluzive për Shqipërinë dhe rajonin për karburante me një kompani shqiptare tek Ura e Dajlanit në Durrës, shoqëria më e madhe në botë e naftës, amerikania  Exxon “përdhunoi” sanksionet e Obamës dhe “u puth” më 9 gusht 2014 me Putinin për shpime në detin Karskoe në Arktikun e Rusisë.

Buzë Adriatikut

Më në fund edhe përdoruesit shqiptarë të automjeteve do të kenë mundësi të furnizohen me karburante të prodhuara nga kompania më e madhe në botë në fushën e karburanteve,  Exxon Mobil, bënë të ditur disa medie televizive shqiptare që marrin reklama nga ky biznes, pa cituar burimin (në sajtet e dy kompanive nuk kishte njoftime).

Exxon Mobil-i ka zgjedhur si partnerin e saj të vetëm në Shqipëri dhe rajon kompaninë e mirënjohur Kastrati Group me seli tek Ura e Dajlanit në Durrës.

Me një kontratë të nënshkruar me datë 22 korrik 2014, Kastrati ka rënë dakord që të gjithë furnizimin në sistemin e saj të shpërndarjes ta bëjë me karburante të markës  Exxon Mobil.

Kastratika fituar mbi 90 për qind të prokurimeve publike të qeverive Berisha dhe Rama për karburante.

Në detin Karskoe

Gjiganti amerikan i naftës  Exxon Mobil filloi shpimet në Arktikun e Rusisë të shtunën, më 9 gusht 2014, pavarësisht sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj partnerit të tij rus  Rosneft, dhe u përshëndet nga presidenti i Rusisë si model “bashkëpunimi”, njofton agjencia  Reuters.

Ndonëse sanksione amerikane lidhur me krizën në Ukrainë nuk parashikojnë ndalimin e projekteve të përbashkëta të kompanive ruse dhe amerikane, gjithsesi embargoja synon që kompania gjigante ruse  Rosneft të mos fitojë dollarë dhe teknologji moderne.

“Sot suksesin komercial e përcakton kooperimi efikas ndërkombëtar”, u tha drejtorit të përgjithshëm të  Rosneft-it Igor Seçin dhe kryemenaxherit të  ExxonMobil Russia  Glen Uoller (Glenn Waller) Presidenti i Federatës Ruse Vladimir Putin në një video konferencë nga rezidenca e tij e Detit të Zi në Soçi.

“Bizneset, mes tyre kompanitë e mëdha ruse dhe të huaja, e kuptojnë fare mirë se pavarësisht ndërlikimit të koniunkturës politike të sotme të ditës, gjithsesi, mbi gjithçka triumfoi pragmatizmi dhe arsyeja e shëndoshë, dhe kjo gjë na gëzon”, tha Putini.

Exxon-i solli një sondë nga Norvegjia për të shpuar pusin e parë të Rusisë në detin Karskoe, gjë që do të konsiderohet si votëbesim ndaj  Rosneft-it, me drejtues një aleat të ngushtë të Putinit, Igor Seçin, ndaj të cilit gjithashtu  u vunë sanksione nga Uashingtoni, shkruan Rojteri.

“Sipas pikëpamjes sonë, ky është një qëndrim vërtet i përgjegjshëm, vërtet afarist, dhe vetëm një qëndrim i tillë mund të jetë produktiv. Këtë pozicion, pa dyshim, e përshëndesim dhe nga ana jonë jemi të hapur për zgjerimin e bashkëpunimit tonë me partnerët”, tha Putini-i.

“Jam i sigurt se projekti [midis  Rosneft-it  dhe  Exxon Mobil-it – “Dyrrah”] do të realizohet, do të çohet deri në fund dhe do të shkojë në dobi të ekonomive tona dhe energjetikës botërore”, tha shefi i Kremlinit.

Uoller-i, që foli rusisht, tha se kompania ka ndërmend të vazhdojë punën në Rusi:

“Bashkëpunimi ynë është një afatgjatë. Ne shohim përfitime të mëdha këtu dhe jemi të gatshëm të punojmë këtu me pëlqimin tuaj”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/