– Mund t’i dërgojmë gjithë botës mesazhin e feve shqiptare, të krishterimit si humanizëm shqiptar, çfarë kanë qenë atëherë qytetet evropiane veç Romës, Durrësit, Athinës? Stacione autobusi…

 

Nga Prof. Dr. Artan Fuga**

 

Unë nuk flas si besimtar dhe vizitën e shenjtërisë së Tij Papës, nuk e shoh si i tillë. Por unë këmbëngul se Shqipëria është nga trevat e para të krishterimit evropian. Këtu duhet këmbëngulur fort. Nuk është thjesht problemi i martirizimit të klerit katolik gjatë monizmit. Paraardhësit tanë kanë krijuar duke përqafuar krishterimin shumë herët, qysh në gjenezat e tij, dhe nuk kemi përse dallohemi për sensin e masakrimit.

Krishterimi, sikurse fetë e tjera janë para së gjithash modele humanizmi dhe si të tillë ne certifikohemi në rrënjët tona me vizitën e Atit të Shenjtë.  Ne duhet ta ripozicionojmë sensin e mesazhit tonë të mikpritjes të Papës.

Ne ende nuk kemi mesazhin që duam të transmetojnë me mirëpritjen tonë. Nuk më duket se përgatitjet po bëhen tamam. Papa “Qytetar Nderi i Tiranës”, kjo nderon Tiranën, por jo Atin e Shenjtë. Rregullimi i sheshit Nënë Tereza, pa kuptim, përmase materiale. Nuk i shton asgjë sepse bukurisë së çastit asnjë pllakë mermeri nuk mund t’i shtojë asgjë….

Lëre se çfarë dëgjojmë, Bubs, Quks, Luks… nuk janë historira ato.

Bëjini një surprizë Atit të Shenjtë, sikurse u bëjmë njerëzve të dashur për datëlindje, thërritini gjithë katolikët e Ballkanit që atë ditë të ditë të vijnë në Shqipëri. Le të vijnë qindra mijëra turistë, një milionë po të duan, në Tiranë, Krujë, Shkodër, Durrës, Elbasan atë dite shtatori.

Të hapë dyert Shqipëria për të gjithë katolikët e Ballkanit. Bëni një transmetim dixhital global për çdo cep të botës. Mëkat i madh ta humbasin këtë rast, me quks, bubs, rups, etj.

Në atë ditë mund t’i dërgojmë gjithë botës mesazhin e feve shqiptare, të krishterimit si humanizëm shqiptar, çfarë kanë qenë atëherë qytetet evropiane veç Romës, Durrësit, Athinës? Stacione autobusi…

Brenda tre javësh rigjallërohet solidariteti shpirtëror mes shqiptarësh, që ka rënë në fund të këmbëve, duke u mobilizuar vullnetarisht mijëra të rinj për këtë mision. Promovojmë markën shqiptare, vetë bëhemi më të mirë, dhe pastaj mijëra pelegrinë ballkanas, qindra mijëra le të zbulojnë hotelet, kuzhinën, shërbimet shqiptare… Turizëm masiv gjigant, me përmasa shpirtërore, një shans i paparë.

Unë nuk jam pushtetar dhe nuk ndikoj dot në vendimmarrje, unë nuk jam agjenci turizmi dhe s’bëj dot gjë, por e them si punonjës i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit të Universitetit të Tiranës, strukturës më të madhe universitare dhe shkencore për marrëdhënie publike dhe marketing mediatik në botën shqiptare. Unë do të plasja nëse nuk do ta thosha dhe sugjeroja këtë gjë. E di fare mirë sesi bëhet. Le të na besojnë si departament vetëm skicë idenë dhe do të shikoni…

Shënime të “Dyrrah”-ut

* Titulli në origjinal, në Facebook: “Një sugjerim për vizitën e Atit të Shenjtë”

** Autori është një nga akademikët më të shquar shqiptarë (në periudhën 1998 – 2003 punoi si lektor pranë departamentit të sociologjisë të Universitetit Paris – X – Nanterre në Francë. Nga viti 2004 e deri më sot prof. Fuga jep mësim si profesor i ftuar në Universitetin Paris – II, Assas, Francë; si profesor në lëndën “Europa dhe komunikimi ndërkulturor” në nivel Master në Universitetin Paris – X – Nanterre, Francë, dhe shërben edhe si punonjës shkencor i asociuar pranë laboratorit LADYSS (Cnrs – Universiteti Paris – 10, Francë). Njëkohësisht profesor titullar në departamentin e gazetarisë dhe të komunikimit dhe lektor në degën e filozofisë dhe të sociologjisë të Universitetit të Tiranës); nga shkurti 2008 Prof. Dr. Artan Fuga është zgjedhur përgjegjës i departamentit të gazetarisë të këtij universiteti; autor i shumë librave në fushën e filozofisë, sociologjisë, komunikimit dhe publicistikës, dhjetëra botimeve në akte konferencash shkencore ndërkombëtare dhe në revista shkencore të huaja. Ka marre pjesë edhe në disa në ekipe ndërkombëtare të kërkimit shkencor dhe ekspertizës.

Këtë opinion po e shoqërojmë dhe me dy foto të Durrësit, që prof. dr. Fuga ia ka postuar në FB.