DURRËS, 9 gusht 2014 – “Dyrrah”-u është informuar, në rrugë jozyrtare, në Durrës, nga të afërm të Presidentit të Republikës z. Bujar Nishani dhe të së shoqes znj. Odetë Kosova Nishani, se kjo e fundit është gati të largohet nga departamenti i administrimit në Bankën e Shqipërisë.
Arsyeja është se Zonjën e Parë e ka lënduar së tepërmi përgojimi pas shpërthimit të megaskandalit financiar Fullani-gate.
Znj. Nishani njihet mirë për dinjitetin, që e shfaqi bujshëm kur u vetëlargua në mënyrë demonstrative nga ministria e Kulturës (ja si e ka argumentuar, ndër të tjera, këtë gjë: etika është baza e komunikimit në administratë, në shoqëri, në shkollë e kudo në sferat e jetës. Kur ky parim cenohet, komunikimi gjymtohet ose bëhet i pamundur. Arroganca dhe tensionimi artificial bazohen në kërkesa, të cilat dëshmojnë mungesë vizionesh, mosnjohje të realitetit dhe të punës së bërë deri tani. Presioni psikologjik, trysnia e vazhdueshme, pretendime absurde, shkrirja e strukturave ekzistuese dhe krijimi i strukturave të reja, të mbivendosura me institucionet e varësisë po përdoren në mënyrë që njerëzit të vetëlargohen nga puna… me keqardhje largohem nëpërmjet dorëheqjes së parevokueshme nga Ministria).
Prandaj për arsye etike dhe dinjiteti, znj. Odetë pranoi të punonte në Bankën e Shqipërisë, jo thjesht për rrogën sa dyfishi në Ministri.
Fakti që kolegët në Bankë të durrsakes po hetohen dhe gjykohen nga drejtësia, organet e së cilës janë në varësi të kreut të shtetit, kanë ndërgjegjësuar znj. Odetë Nishani ta konsiderojë qenien ende në detyrë në Bankën e Shqipërisë si konflikt interesi dhe synon të distancohet nga skandali.
Por problemi është se duhet marrë leje në parti (PD) si nga ajo vetë, po ashtu dhe nga bashkëshorti.
Info
Me nismën e Fondacionit Shqiptar të Trashëgimisë Kulturore dhe Mjedisore, nën kujdesin e Zonjës së Parë, Odetë Nishani, ALBtelecom dhe Eagle Mobile kanë bërë të mundur që amfiteatri i Durrësit të presë vizitorë jo vetëm ditën por edhe mbrëmjeve, duke ndriçuar objektet historike që ndodhen në këtë amfiteatër (nç foto).
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





