TIRANË, 9 Gusht – Në Sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet kanë nisur punimet për rindërtimin e tij, pasi më 21 shtator do të mbahet mesha e shenjtë dhe predikimi i Atit të Shenjtë, në kuadër të vizitës zyrtare që do të zhvillojë në vendin tonë.

Projekti pë rehabilitimin e këtij sheshi është hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe u miratua në datën 15 Korrik 2014 nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve.

Komisioni shtetëror për vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri, që drejtohet nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro , i ngritur  për organizimin e punës dhe aktiviteteve që do bashkërendohen me rastin e vizitës së Papa Françeskut më 21 shtator,  ia ngarkoi Bashkisë së Tiranës  ekzekutimin e projektit për ndërhyrje rehabilituese në sheshin “Nënë Tereza”

Ndërhyrjet rehabilituese parashikojnë nivelimin e sheshit qendror pas heqjes së strukturës së shatërvanit në qendër të tij, i cili tashmë është vlerësuar si i amortizuar, krejtësisht jashtë funksionit dhe jokoherent me kontekstin arkitektoniko-urbanistik të sheshit.

Shkallaret që rrethojnë sheshin do të restaurohen tërësisht, pjesët e munguara të travertinave do të zëvendësohen me të njëjtin material dhe trotuaret do të plotësohen me mozaikun e veshjes sipërfaqësore.

Fasadat e objekteve që ballafaqohen me sheshin do të pastrohen plotësisht. Objekteve të Universitetit Politeknik të Tiranës, Akademisë së Arteve, Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Rektoratit do t’u kthehet hijeshia e pamjes së tyre fillestare.

Koncepti i ndriçimit të sheshit do të ndryshojë tërësisht: në qendër të sheshit do të pozicionohen ndriçues të lartë dhe në perimetrin e tij ndriçimi do të jetë i ulët. Gjithashtu do të unifikohet ndriçimi sipërfaqësor i bardhë i  fasadave të objekteve dhe do të vihet në pah volumetria e tyre me anë të ndriçimit ngjyrë blu.

Në pjesën e kolonadës do të hiqet struktura e përkohshme e Fast Food ‘Kolonat’, duke rikthyer identitetin e kompleksit në tërësinë e tij.

Hapësira përgjatë dy krahëve të Universitetit Politeknik do të çlirohet nga ndërtimet dhe do të kthehet në hapësirë të gjelbër.

Qeveria shqiptare me VKM e posaçme të mbledhjes së fundit të Këshillit të Ministrave ndihmoi në  krijimin e kuadrit ligjor dhe financiar që bën të mundur fillimin e kryerjes së punimeve në një kohë sa më të shpejtë.

Afati  i përfundimit të ndërhyrjeve  në sheshin “Nënë Tereza” , maksimalisht do të jetë data 10 shtator 2014. Komisioni Shtetëror,  i kryesuar nga Ministria e Kulturës  është duke ndjekur hap pas hapi të gjitha fazat për organizimin e punës.