– Aksion në fundjavë, duhej një sukses qoftë dhe me vlerë 66 mijë euro
DURRËS, 9 gusht 2014 – Doganës i duhej një sukses në luftën kundër kontrabandës dhe arriti të sekuestrojë mallra për tregjet e “gabit”, duke i konsideruar “firmato” por pa emrin e stilistit, thjesht, kishin etiketën “Made in Italy”.
Kontrabandë me mallra “gabi” (?!), nëpërmjet një SMS-je janë njoftuar mediet se të shtunën, se “gjatë një operacioni të ditës së sotme [datë 9 gusht 2014 – shënim i “Dyrrah”-ut], struktura të specializuara të drejtorisë së përgjithshme të doganave (DPD), në bashkëpunim me degën e doganës në Durrës, kanë goditur kontrabandën me rroba “firmato” të markave të ndryshme”.
Po ashtu DPD-ja shkruan se “gjatë kontrollit u konstatuan dhe u sekuestruan 2 500 copë fustane të markave të ndryshme me mbishkrimin “Made in Italy”, të cilat kishin një vlerë rreth 66 mijë euro”.
I bie që një fustan mesatarisht është llogaritur nga dogana me një çmim 26.4 euro copa.
Si zor ta pranojë ndokush që një fustan “firmato” të kushtojë 26-27 euro!
DPD-ja nuk sqaron nëse fustanet ishin mallra të zhvlerësuara dhe stoqe në magazinat italiane apo të sapo-prodhuara dhe cilat ishin markat dhe numri i tyre.
“Hetuesit doganorë kanë marrë në pyetje drejtuesin e mjetit, dhe po vijojnë procedurat për penalizimin e tij”, tha DPD-ja.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





