9 gusht 2014- Shorti i play-off të Ligës së Kampioneve ka dhuruar disa duele gjigantësh që në këtë pikë të turneut mes ekipeve të njohura që synojnë një vend në fazën në grupe të aktivitetit më spektakolar të futbollit për klube në Europë. Goglat nuk kanë qenë aspak me fat për disa skuadra që pretendojnë të kalojnë grupet në këtë edicion, pasi ekipe si Napoli, Arsenali dhe Porto janë vënë përballë sfidave relativisht të vështira.Si Napoli, ashtu edhe Porto, në edicionin e kaluar, u eliminuan në fazën në grupe të turneut. Këtë radhë, pasi të dy ekipet përfunduan në vendin e tretë në kampionatet përkatëse, shpresonin në një short më të favorshëm se ai i edicionit të kaluar. Por përballë ekipit italian u vendos Atletik Bilbao, skuadra që u rendit e katërta në kampionatin spanjoll në edicionin e kaluar. Ndërsa portugezët do të përballen me Lilën, skuadrën që mbylli kampionatin francez në vendin e tretë në sezonin 2013-2014.Për të dytin vit radhazi, Arsenali përballet në play-off me një skuadër turke. Rreth 12 muaj më parë “topçinjtë” kaluan Fenerbahçen, ndërsa tani fati i ka vënë përballë ekipit të Beshiktash, i cili ka kaluar për herë të fundit në fazën në grupe të turneut në sezonin 2009-2010.
Kopenhaga, skuadra që në dekadën e fundit ka qenë vazhdimisht në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve, do të provojë përsëri të arrijë në këtë fazë, duke pasur si kundërshtar gjermanët e Bajer Leverkusën. Ndërsa Standard Liezh do të presë Zenit Shën Petersburg, një prej ekipeve më të njohura ruse dhe një pjesëmarrëse e rregullt e turneut. Sfidat e “rrugës së kampioneve”, mes ekipeve që kanë fituar kampionatet në vendet e “vogla”, kanë gjithashtu duele shumë interesante, me skuadrat e vendeve të Europës Lindore që kanë mundësi të regjistrojnë një prani të ndjeshme në fazën në grupe të turneut. Mes ekipeve që marrin pjesë në këtë fazë janë edhe skocezët e Sëlltik, të cilët pavarësisht eliminimit të mërkurën nga Legia Varshava me rezultatin e përgjithshëm 6-1, kaluan në fazën tjetër të turneut meqë UEFA dënoi ekipin polak për aktivizimin si zëvendësues të një futbollisti të pezulluar. Malmoe, Ludogorets dhe Slovan Bratislava luajnë për të hyrë në histori, pasi në rast kualifikimi, kjo do të ishte hera e parë që arrijnë në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve. Fituesit shkojnë në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve, humbësit në fazën në grupe të Europa League
Reagimet
“Kemi përballë ekipin më të fortë të mundshëm, Atletik Bilbao është skuadra më e vështirë që mund të peshkonim”. Ky është opinioni i trajnerit të Napolit, Rafael Benitez, i cili ka qenë i pakënaqur me atë që i ka rezervuar shorti. “Luajnë futboll të bukur dhe mbështetja e 50 mijë tifozëve në ‘San Mames’ i bën të vështirë për t’u mposhtur nga kushdo”, tha spanjolli i zhgënjyer. Shumë i lumtur ka qenë Mesut Ozil, mesfushori me origjinë turke i Arsenalit, i cili do të ketë mundësinë të vizitojë Turqinë, edhe pse si kundërshtar. “Çfarë shorti, po pres me padurim ndeshjet kundër Beshiktashit”, ishte komenti i tij në “Twitter”. Një “cicërimë” ka qenë edhe ajo me të cilën mesfushori belg i Zenit, Aleks Vitsel, ka shprehur kënaqësinë e të luajturit kundër Standard Liezhit, klubit ku u formua si futbollist. “Do të kthehem në shtëpi për t’u përballur me klubin ku u rrita… Ndeshje të veçanta dhe emocionuese për mua kundër Standard Liezhit”, ishte mesazhi i tij.
Liga e Kampioneve
19-27.08.2014
Beshiktash-Arsenal
Kopenhagë-B. Leverkusen
Napoli-Atletik Bilbao
Salcburg-Malmoe
Steaua Bukuresht-Ludogorets
20-26.08.2014
Standard Liezh-Zenit
Lilë-Porto
Maribor-Sëlltik
Alborg-APOEL
Slovan Bratislava-BATE





