– Nëna kallëzon në polici vetëm pas 4 ditësh për fëmijën, i cili nuk dihet ku është

DURRËS, 8 gusht 2014 – Arratiset nga burgu i Shënkollit në Lezhë dhe vjen në Durrës dhe rrëmben të birin 8 vjeç, i cili duhet të vuajë fshehjen, kurse e ëma zhdukjen e të miturit e raporton pas 4 ditësh!

Drejtoria e Policisë së Shtetit për qarkun e Durrësit njofton se më 7 gusht 2014 ka bërë kallëzim në polici 47-vjeçarja Z. M., banuese në Durrës, e cila deklaron se që prej 3 gushtit 2014, fëmija i saj E. M., 8 vjeç, është larguar nga banesa së bashku me të atin, A. M., 51 vjeç.

Rrëmbyesi është person në kërkim, pasi është larguar nga Instituti i Ekzekutimit të Veprave Penale (shkurt: burgu) i Shënkollit Lezhë, por kjo nuk e pengoi të merrte të miturin me vete.

U bë shpallja në kërkim për shtetasin A. M. dhe u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetasen Z. M., ndaj së cilës bashkëshorti A. M. ka ushtruar edhe dhunë fizike e psikologjike.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/