Durrës, 8 gusht 2014 – Zbulohet konstatimi tronditës i Fondit Monetar Ndërkombëtar sa i takon situatës së degraduar në Bankën e Shqipërisë. Ndryshe nga sa pretendon Ardian Fullani dhe Këshilli Mbikqyrës, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka arritur në konkluzionin se banka e shtetit shqiptar është jashtë kontrollit. Qëndrimi i FMN është në një gjatësi vale me dëshmitë e të arrestuarve, si të dyshuar për vjedhjen e thesarit. Ata kanë deklaruar se Banka e Shqipërisë ishte kthyer në një han pa porta, pa rregullore dhe kontrolle.  

Një ditë pas mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës, është zbuluar një dokument i FMN i cili vëren se baza rregullatore dhe procedurat e auditimit, që përdor Banka e Shqipërisë, nuk janë plotësisht sipas standardeve më të mira ndërkombëtare. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka konstatuar se Bankës së Shqipërisë i mungon një audit i brendshëm, duke nënkuptuar se paratë e shqiptarëve janë në rrezik bashkë me sistemin bankar në tërësi. Në pjesën e parë të raportit, Fondi njeh përmirësimet, duke vërejtur se Banka e Shqipërisë e ka fuqizuar kuadrin e vet të garancive në disa fusha, përfshirë auditimin e vet të jashtëm dhe të brendshëm, si dhe në funksionet raportuese financiare. Por, siç vërehet në vijim të dokumentit, strukturës qeverisëse të bankës i mungon mbikëqyrja efektive e auditimit të brendshëm, raportimit financiar, si dhe çështjeve të kontrollit. FMN nënvizon se politikat e procedurat për përzgjedhjen e audituesit të jashtëm janë të paqarta dhe të panormuara.  

Përballë këtyre problemeve, FMN i rekomandon Bankës së Shqipërisë ngritjen e një këshilli të posaçëm, i cili duhet të mbikëqyrë auditimin e brendshëm dhe që të përbëhet nga persona jashtë rrethit ekzekutiv të bankës. Pra, të mos jetë në varësinë e drejtuesve të saj, një rekomandim që ka pasur për qëllim shkëputjen e këtij procesi nga influenca dhe kontrolli i drejtuesve më të lartë të bankës. Ky vendim nga banka është marrë vetëm në datën 29 Korrik, 4 ditë pasi vjedhja e bankës ishte bërë publike.   Paralelisht, FMN i ka kërkuar bankës të miratojë një politikë formale për përzgjedhjen e audituesit të jashtëm dhe rotacionit të tij. Pra, një rregull të qartë, ku të përcaktohej se si përzgjidhet audituesi i jashtëm dhe se sa mund të jetë afati maksimal, që një kompani mund të shërbejë si auditues i jashtëm. Po kështu, në dokument, Fondi i rekomandon bankës që të ndërmarrë një vlerësim të posaçëm mbi cilësinë e funksionimit të auditit të brendshëm, i cili, siç do të zbulohej një muaj më vonë, kur u bë publike vjedhja, ka dështuar për katër vjet me radhë të diktonte apo parandalonte grabitjen e parave nga Thesari.