DURRËS, 7 gusht 2014 –  Shefi i Kremlinit emëron ambasador në Tiranë një rus nga Donjecku i Ukrainës, i cili, në pritje agrementit nga Shqipëria, zhvillon takim me një nga 7 zëvendëskryeministrat e Tatarstanit të Rusisë, ku sugjeron për marrëdhënie me Shqipërinë si vend me popullsi 60-70 për qind myslimane, si dhe për turizëm në Durrës.

DEKRETI

Rokadë ruse diplomatike në Tiranë, Presidenti i Rusisë z. Vladimir Putin nënshkroi më 10 korrik 2014 dekretin (ukaz) për emërimin e 65-vjeçarit z. Aleksandër Romanoviç Karpushin ambasador të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Rusisë në Shqipëri, i lindur dhe i diplomuar në Donjeck të Ukrainës.

Dokumenti përkatës u publikua në faqen zyrtare të informacionit ligjor (shih faksimilen dhe foton).

Ish-ambasadori rus në Shqipëri, 60-vjeçari z. Leonid Grigorjeviç Abramov u lirua nga detyra me një dekret tjetër presidencial.

Z. Abramov qëndroi në Tiranë në periudhën 28 janar 2010-10 korrik 2014.

NË PRITJE TË AGREMENTIT

Më 6 gusht 2014, një nga 7 zëvendëskryeministrat dhe njëkohësisht përfaqësues fuqiplotë i Republikës së Tatarstanit (subjekt i Federatës Ruse!) në Rusi, z. Ravil Ahmetshin [në vitet 2006-2010 ka qenë zëvendësdrejtor i parë i qendrës së përgjithshme informative-analitike të Ministrisë së Brendshme të Rusisë] u takua në selinë e ambasadës së Tatarstanit në Moskë me ambasadorin e ri të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Rusisë në Shqipëri z. Aleksandër Romanoviç Karpushin (në fotot).

Sipas zyrës së shtypit të kësaj ambasade, gjatë takimit u diskutuan çështje aktuale të tregtisë dhe të zhvillimit ekonomik, turizmit dhe bashkëpunimit shkencor dhe teknik midis Republikës së Tatarstanit dhe Republikës së Shqipërisë.

Duke pasur parasysh karakteristikat historike dhe kulturore të të dy rajoneve [shihni përcaktimin e Shqipërisë si “rajon”?!], se 60-70 për qind e popullsisë në Shqipëri praktikon islamin, paraqet interes zhvillimi i bashkëpunimit në turizëm.  Në veçanti, për turistët shqiptarë mund të jenë me interes Kremlini i Kazanit dhe muzeu-rezervat historiko-arkitektonik bullgar, objekte të përfshira në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Sipas z. A. Karpushin, për banorët e Tatarstanit mund të jetë veçanërisht tërheqës plazhi i Durrësit.

Zhvillim mund të marrin disa drejtime bashkëpunimi si shkëmbimi i teknologjive dhe specialistëve në fushën e zbulimit dhe nxjerrjes së naftës, si dhe programe të përbashkëta arsimore nëpërmjet Universitetit Kombëtar Kërkimor Teknologjik Kombëtar të Kazan-it (KNITU).

SANKSIONET DHE TREGTIA

Gjithsesi tingëllon i pashpjegueshëm fakti ambasadori në pritje në Shqipëri, z. Karpushin flet për marrëdhënie midis një entiteti të Federatës Ruse, sikurse është Tatarstani me Shqipërinë.

Kjo e fundit është nën saksionet ekonomike të Kremlinit pas bashkimit të Tiranës zyrtare me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së ndaj Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë, ku ka popullsi tatare dhe ndërhyrjes në Ukrainën Lindore, pikërisht në Donjeck-un pro-rus, ku ka lindur dhe i dërguari i ri i z. Putin në Tiranë.

Nuk është ende e qartë se sa ndikojnë këto sanksione ruse ndaj Shqipërisë.

Sipas INSTAT-it, në muajin qershor 2013 Shqipëria importoi nga Rusia 641 milionë lekë mallra, teksa në qershorin e këtij viti importet nga Rusia arritën vlerën  1 miliard e 300 milionë lekë; po ashtu me rritje është dhe 6 mujori 2014 me 5 miliardë 657 milionë lekë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ku vlera ishte 3 miliardë e 879 milionë lekë.

Por janë tejet të papërfillshme eksportet shqiptare në Rusi, por me rënie drastike: nga 80 milionë lekë në qershorin 2013 në 6 milionë lekë në qershorin e sivjetshëm, kurse si 6-mujor 126 milionë lekë më 2013 në 9 milionë lekë në janar-qershorin 2014.

Skeda / Aleksandër Karpushin

Lindur më 16 prill 1949 në qytetin e Donjeck-ut (Ukrainë).

Arsimi i lartë, mbaron:

Më 1972 –  Institutin politeknik të Donjeckut,

Më 1984 – Shkollën e lartë të partisë pranë KQ të PK të Ukrainës,

Më 1989 – Akademinë diplomatike të MPJ-së së [ish-] BRSS.

Ka gradën diplomatike të Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë, që nga data 20.11.2009.

Është i martuar dhe ka dy vajza.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) – nga viti1989

1994-1995. – Përgjegjës sektori në departamentin e katërt për Evropën në MPJ-në e Rusisë.

1995-1999. – Këshilltar, ministër-këshilltar i ambasadës ruse në Bjellorusi.

2000-2002. – Përgjegjës sektori në departamentin për lidhjet me subjektet e Federatës, parlamentin dhe organizatat shoqërore- politike në MPJ-në e Rusisë.

2002-2004. – Zëvendësdrejtor i departamentit për lidhjet me subjektet e Federatës, parlamentin dhe organizatat shoqërore-politike në MPJ-në e Rusisë.

28 shtator 2004 – 14 janar 2011. – Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Rusisë në Republikën e Kepit të Gjelbër.

Periudha 2011-2014. – I dërguari i posaçëm i MPJ-së së Rusisë.

Nga 10 korriku 2014 – Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Rusisë në Shqipëri.

 

Info

Republika e Tatarstanit është subjekt i Federatës Ruse, sipas Kushtetutës së Rusisë është republikë (shtet). Hyn në përbërje të distriktit federal të Vollgës.

U formua si Republika Autonome Socialiste Sovjetike Tatare më 27 maj 1920.

Kryeqyteti – qyteti i Kazanit.

Kufizohet me republikat e Bashkortostan-it, Mari El-t, Udmurti-së, Çuvashi-së.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Tatarstanit të vitit 1992, emri “Republika e Tatarstanit” dhe “Tatarstan” janë ekuivalente.

Sipas Censusit të vitit 2010, popullsia e Tatarstanit kishte 3 786 488 banorë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/